Një sasi e madhe me speca nga Divjaka është bllokuar sot nga autoritetet e Kroacisë. Burime për mediat bëjnë me dije se sasia prej 8 ton me specin e kuq djegës është bllokuar pasi ka rezultuar me tre preprarate bujqësore të ndaluara.
Për rrjedhojë kjo sasi do të asgjësohet në Kroaci. Ky nuk është rasti i parë që perime dhe fruta nga Shqipëria bllokon në këtë shtet për shkak të përmbajtjes së pesticideve.
Në fillim të muajit shtator, Kroacia dhe Bosnje-Hercegovina bllokuan 5.5 ton pjeshkë me pesticide.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit tha se produkti ishte dërguar i gjithi për eksport dhe se nuk ishte shpërndarë në tregun vendas.
Po gjatë muajit shtator, autoritetet kroate bllokuan një ngarkesë prej 8 tonësh domate të eksportuara nga kompania shqiptare “Era-Fruit”, pasi analizat zbuluan përmbajtje të lartë të pesticidit Chlorfenapyr.
Rastet e ripërsëritura janë një alarm mbi sigurinë e produkteve bujqësore që eksportohen nga Shqipëria dhe tregojnë për nevojën e kontrollit më të rreptë të pesticideve dhe substancave të tjera kimike në bujqësi.