Që prej ditës së mërkurë, në pallatin e sportit “Fahrie Hoti” po vijon rinumërimi i të gjitha kutive të qarkut të Tiranës. Janë 1282 të tilla që do ti nënshtrohen procesit të numërimit, që pritet të zgjasë deri në 10 ditë.
Deri më tani janë rinumëruar 355 kuti në 1282 në total. Sipas të dhënave, PS dhe PD rezultojnë se kanë më shumë vota në procesverbale sesa në kuti.
PD rezulton se ka 177 vota të pamerituara, ndërsa PS 170, të cilat iu zbriten nga rezultati i numërimit të parë.
Edhe Nisma Shqipëria Bëhet rezulton se deri më tani ka 20 vota të pamerituara, ndërsa Lëvizja Bashkë 15.
Deri tani hapja e kutive në Tiranë nuk sjell asnjë lloj ndryshimi as në rezultatin e mandateve për subjektet politike, por as në renditjen e kandidatëve në listën e hapur.
Pas Tiranës, do të vijohet me rinumërimin e qarkut Fier dhe më pas të Durrësit.