Rinumërimi i votave në Kuçovë/ Lefter Maliqi përplaset me përfaqësuesin e KQZ: Rrugaç, hajdut!

Në Kolegjin Zgjedhor po mbahet seanca për rinumërimin e 18 kutive të Bashkisë Kuçovë, me kërkesën e kandidatit të “Bashkë Fitojmë”, Lefter Maliqi.

Ky i fundit është përfshirë në një sherr verbal sot me përfaqësuesin e KQZ, Ylli Merkajn Një nga avokatët e Maliqit ngiti pretendime për procesverbalin për kutitë e votimit.

Ndaj është ndërprerë seanca në KQZ të krijonte idenë për këtë procesverbal dhe gjatë këtij momenti Lefter Maliqi ka filmuar Sekretarin e Përgjithshëm e KQZ që iu bashkua grupit të KQZ. Kjo ka nxitur përplasjen mes tyre, ndërsa Maliqi e ka quajtur “hajdut” dhe “rrugaç” sekretarin e KQZ.

Në një dalje për mediat, Maliqi shpjegoi se e filmoi Merkajn, pasi sipas tij ai nuk është thirrur si dëshmitar dhe nuk kishte pse të ishte në seancë. Lefter Maliqi u shpreh se e bëri videon që ta ketë si provë.

“Unë tregoj muskujt e trurit, muskujt e mbështetjes popullore dhe muskuj e krimit elektoral në Kuçovë. Këtu nuk bëhet fjale për mua. Lefter Maliqi ka qenë gjithmonë i pastër. Kam mbështetjen popullore. Kuçova është e majtë. Prej 33 vitesh drejtohet nga Partia Socialiste.

Unë kam mbështetje të majtë dhe të djathtë. Avokati tha që kryetari i KZAZ nuk është thirrur dëshmitar. Unë e filmova që ta kisha si provë. Është profesioni im”, deklaroi ai.

Diferenca mes Maliqit dhe Hajdarit në zgjedhjet e 14 Majit ka qenë më shumë se 600 vota, por kandidati i opozitës pretendon për një sërë shkeljesh dhe parregullsish gjatë procesit, shtuar këtu edhe blerjes së votave, duke akuzuar në mënyrë direkte dhe të vazhdueshme dhe biznesmenin Pëllumb Salillari. Po ashtu, Maliqi akuzon kundërshtarin e tij, Hajdarin, se ka fshehur një dënim në formularin e dekriminalizimit, pasi ka qenë i dënuar në Greqi. Për këtë pretendim ka nisur dhe një hetim nga ana e SPAK.