Revolucion në qeveri? BE nuk pranon ministra me skandale, për Ramën asnjë nuk është i paprekshëm

Na ndajnë vetëm 7 ditë nga Asambleja e Partisë Socialiste, ku kryeministri Edi Rama pritet të shpallë emrat e kabinetit të ri qeveritar.

Lista e kreut të qeverisë pritet të ketë risi ashtu si çdo herë tjetër, por këtë radhë duket se të papriturat do të jenë edhe më të mëdha, pasi për kryeministrin nuk ka më ministra të paprekshëm.

Belinda Balluku, Ogerta Manastirliu dhe Mirela Kumbaro, emra që i dëgjonim sa herë Rama shpallte qeveritë, tashmë janë në dyshim, dhe kjo për shkak se mbi to rëndojnë skandale të shumta në këto 12 vite qeverisje të Partisë Socialiste.

Integrimi në Bashkimin Europian, që ishte edhe karta e Ramës për zgjedhjet e këtij viti, kërkon një qeveri sa më pak politike dhe ministra që dinë vërtetë të punojnë në interes të qytetarëve, duke prodhuar sa më pak skandale.

Brenda PS-së qarkullojnë fjalë se i gjithë kabineti qeveritar do të përbëhet nga ministra jo-politikë dhe të papërfshirë në afera, në mënyrë që Rama të paraqitet përballë BE-së me një kabinet të pastër dhe pa “mëkate”.

I vetmi që i plotëson këto kushte nga ministrat aktualë është Igli Hasani, pasi me këtë të fundit duket sikur edhe Rama ka gjetur qetësi për politikën e jashtme, për shkak të përgatitjes dhe eksperiencës së Hasanit në këtë fushë.

Të tjerët, janë ministra ose të përfshirë në skandale, ose ministra që nuk kanë ditur kurrë të punojnë në shërbim të qytetarëve.

Burime brenda PS-së thonë se të gjithë ministrat aktualë janë në ankth dhe të pasigurt për të ardhmen e tyre, duke u përpjekur të mësojnë sadopak nga vendimet që do të marrë kryeministri Rama, por ky i fundit di të jetë gjithmonë surprizues.

Emrat që qarkullojnë janë të shumtë, por jemi mësuar që çdo emër që lakohet shumë në media, nuk përfundon asnjëherë në karrigen e ministrit.

Ndërkohë, për ministrat që kanë dosje në SPAK do të jetë edhe më e vështirë beteja me drejtësinë kur të mos jenë më pjesë e kabinetit qeveritar, pasi koha ka treguar se Rama i ‘lëshon” të gjithë ata të cilëve nuk ua ka më interesin.