Një situatë e pazakontë ka ndodhur në kampin e Gjadrit ku aktualisht ndodhen 40 emigrantë, të cilët u transferuan nga Italia pak ditë më parë.
Sipas raportimeve nga mediat italian, disa prej emigrantëve kanë shkaktuar trazira në ambientet e qendrës, duke dëmtuar mobiliet, shkatërruar dyshekët dhe thyer xhamat e dritareve. Situata ka dalë jashtë kontrollit për disa orë, duke detyruar ndërhyrjen e stafit të sigurisë.
Ndërkohë raportohet se tre emigrantë kanë përdorur mjete të mprehta për t’i shkaktuar vetes plagë. Ata janë trajtuar menjëherë nga personeli mjekësor i qendrës dhe fatmirësisht, nuk kanë pësuar dëmtime serioze.
40 emigrantë, të cilëve iu është refuzuar azili në Itali mbërritën të premten e kaluar në portin e Shëngjinit. Më pas ata u zhvendosën në kampin e Gjadrit, të cilit qeveria italiane ia ndërroi funksionin përmes një dekreti më 28 Mars.
Grupi me 40 emigrantë erdhën në tokën shqiptare përmes anijes “Libra”, e cila do të qëndrojë përfundimisht në vendin tonë, pasi ajo iu dhurua flotës ushtarake të Shqipërisë nga marina italiane.
Me vendimin e ri te qeverisë italiane, emigrantët e ndaluar në Gjadër mund të qëndrojnë aty deri në 18 muaj, derisa vendet e tyre të origjinës të pranojnë kthimin e tyre.