Emisioni investigativ “Report” në RAI 3 në Itali, ka skanuar të gjithë problematikat e Shqipërisë, duke filluar nga korrupsioni, te lidhja e pushtetit me mafian dhe deri te marrëveshja me Italinë për emigrantët.
Në reportazhin kushtuar Shqipërisë, përmendet edhe procesi i vettingut për pastrimin e drejtësisë nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar. Por sipas emisionit, duke iu përmbajtur edhe deklaratës së ish-prokurorit Besim Hajdarmataj, procesi i vettingut ka qenë tërësisht politik.
Hajdarmataj: Kanë marrë disa fashikuj të disa kohëve më parë dhe më kanë thënë që nuk kam monitoruar mirë punën e disa vartësve të mi. Kanë hetuar edhe mbi të ardhurat e mia, por që nuk ka rezultuar ndonjë gjë me rëndësie megjithatë më kanë hequr nga magjistratura kështu jam detyruar të bëj rekurs në gjykatën e Strasburgut.
Gazetari: A mendoni se kjo ka qenë një hakmarrje për hetimet që keni bërë?
Hajdarmataj: Jam absolutisht i bindur për këtë.
Më pas, në emision trajtohet arrestimi i ish-ministrit Saimir Tahiri, si dhe lidhja e tij me grupin e Habilajve dhe trafikun e drogës.
Hajdarmataj: Nga hetimit kishte dalë se Tahiri ishte i përfshirë në trafikun e drogës që shkonte nga Shqipëria drejt Italisë. Kemi mundur të bëjmë hetime të limituara pasi Tahiri kishte lidhje të forta me Policinë.
“Sinjalizimet e para për rastin në fjalë vijnë nga një ish polic i anti-drogës në Vlorë, Dritan Zagani, që ka paguar shtrenjtë integritetin e tij. Sot ai është i detyruar të jetojë me identitet të rremë në Zvicër ku i është dhënë strehim politik”, thuhet në reportazh.
“Kishte një grup të narko trafikut të drogës që pas zgjedhjeve të 2013 u bënë shumë të fuqishëm. Duke hetuar mbi këtë fakt, marr vesh se këta ishin kushërinjtë e ministrit tim, në atë kohë ministri i brendshëm’ shprehet mes të tjerash Zagani.
Më pas trajtohet edhe dorëheqja e Fatmir Xhafajt, pasi vëllai i tij u akuzua për lidhje me grupet kriminale të trafikut të drogës, ndërsa ka vend edhe për ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, për të treguar nivelin e korrupsionit në Shqipëri dhe lidhjen që pushteti ka me mafian.