Regjistrimi i Diasporës, nesër skadon afati/ PS kundër PD: Të shtyhet afati vetëm për ata që janë refuzuar

Të martën në mesanatë përfundon afati për emigrantët, të cilët duan të regjistrohen për të votuar për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Diaspora ka shfaqur interes të lartë dhe kjo ka bërë që partitë politike të shfaqin pretendimet mbi afatet.

PD ka kërkuar që afati i regjistrimeve të shtyhet, ndërsa PS nuk e ka pranuar. Ndërkaq, kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi thotë se nuk bën dot gjë pa konsensus politik.

Përfaqësuesja e socialistëve pranë KQZ, Elena Xhina, pohoi se afati nuk ka përse të shtyhet për të gjithë emigrantët, por të ndihmohen vetëm ata që kanë shprehur vullnetin për të votuar.

Qëndrimi i PS:

“Në përgjigje të interesimit të medias në lidhje me idenë e shtyrjes së afatit të regjistrimit në platformën PER të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, Partia Socialiste ka mbështetur mundësinë e marrjes së kësaj mase vetëm për ata shtetas të cilët aktualisht figurojnë në sistem si aplikantë të refuzuar.

Marrë në konsideratë faktin se këta shtetas i janë përgjigjur pozitivisht thirrjes së KQZ për regjistrim; e kanë shprehur vullnetin e qartë brenda afatit të deklaruar; janë në një numër të konsiderueshëm (42,000); kanë aktualisht një llogari të hapur në sistem dhe u është njohur e drejta e riaplikimit pavarësisht të qënit të refuzuar; shtyrja me disa ditë e afatit mund tu krijojë atyre shansin e fundit për të korrigjuar mangësitë dhe konfirmuar regjistrimin.

Partia Socialiste thekson se kjo masë shtyrjeje nuk ka arsye të zbatohet për aplikantë të tjerë jashtë kësaj kategorie, të cilët nuk e kanë aktualisht një llogari të hapur në sistemin PER.

Falë angazhimit të KQZ-së por dhe forcave politike me fushatën e gjërë të informimit, vlerësojmë se ka qenë koha e mjaftueshme që çdo shtetas i interesuar të bëhej pjesë e procesit brenda datës 4 Mars.

Çdo shtyrje afati për kategorinë e aplikantëve që deri më tani nuk kanë shfaqur interes do të mund të konsiderohej sërish e pamjaftueshme dhe do të rrëzonte vet logjikën e afateve në një proces të tillë. Ndërkohë, dhënia e kohës shtesë për ata aplikantë që janë të refuzuar në sistem, do ti shërbente shterrimit të të gjitha mundësive që vullneti i tyre për tu bërë pjesë e procesit të mos shkonte dëm”

Kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi kërkon të gjendet një të mesme të artë. Ai sugjeron që pas 4 marsit të mos priten aplikime të reja, por t’u jepet një shans i dytë të refuzuarëve deri më 8 mars. Aktualisht, sipas KQZ-së, janë 42 mijë kërkesa, të cilat janë refuzuar për regjistrim në platformën PER.

Sakaq, deri tani janë miratuar 221,255 kërkesa nga jashtë për të votuar më 11 maj.