Akuzat e opozitës se qeveria ka lidhje të ngushta me bandat kriminale duket se po dalin të vërteta nga dita në ditë, pasi SPAK po arreston një nga një deputetë e zyrtarë të lartë të Partisë Socialiste.
Por, rasti i fundit i Jurgis Çyrbjas tregon se më së miri se si funksionon mazhoranca, para, gjatë dhe pas zgjedhjeve, ku deputetët janë vënë kokë e këmbë në shërbim të anëtarëve të bandave kriminale, duke i strehuar edhe në shtëpitë e tyre.
Bisedat në aplikacionin “SKY”, të cilin e përdorte edhe vetë ish-deputeti socialist i arrestuar, Jurgis Çyrbja, tregojnë se Çyrbja e ka fituar vendin në listën e sigurt të deputetëve në qarkun e Durrësit falë ndërhyrjes së krimit të organizuar.
Sipas dosjes hetimore, Plaurent Dervishaj dhe Mond Çekiçi, i vrarë në Durrës, kanë biseda mes njëri-tjetrit për ta futur Çyrbjan në listën e PS-së për deputet në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e vitit 2021, të tretin dhe jo të pestin siç ishte parashikuar.
Por, dihet se lista e deputetëve është një ekskluzivitet i kryetarit të partisë, i cili në këtë rast është vetë kryeministri Edi Rama. Pra, anëtarët e krimit të organizuar kanë detyruar edhe Ramën që të vendoste të tretin në listë Jurgis Çyrbjan.
Ndërkohë, pritet me shumë interes një reagim i kryeministrit Rama, i cili do të hedhë poshtë çdo akuzë për lidhjet me krimin, pavarësisht se bisedat në SKY tregojnë të kundërtën.
Por, a do të thotë Rama edhe këtë herë se ia morën listën nga duart dhe ia plotësuan mbrapa krahëve, këta të kumbullave dhe dardhëve?