“Rastësia, mbret i botës”! Takimet zyrtare të Taulant Ballës, sa herë ka ndeshje Kombëtarja

Kampionati Europian ka rrëmbyer të gjithë vëmendjen e shqiptarëve, këtë vit edhe më shumë për shkak se luan edhe Kombëtarja shqiptare.

Tifozë të futbollit janë edhe një pjesë e mirë e politikanëve shqiptarë, të cilët përfitojnë nga statusi i tyre dhe përfituan edhe bileta falë miqësive të tyre, ndërkohë që tifozët që ndjekin Kombëtaren në çdo cep nuk arritën të siguronin asnjë biletë për këto 3 ndeshje.

Por zgjidhjen më të mirë e ka gjetur ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Ai ka një takim  zyrtar jashtë vendit sa herë luan Kombëtarja shqiptare.

Në ndeshjen e parë të Europiani shkoi në ndeshjen e parë të Europianit së bashku me kryeministrin Rama dhe shumë politikanë të tjerë. Për ndeshjen e dytë, Balla shfrytëzoi takimin e Presidentit Bajram Begaj me homologun gjerman, dhe kështu mori pjesë edhe në takimin e tyre, që më pas të shihte Kombëtaren në stadium.

Për ndeshjen e sotme, Balla ka siguruar një tjetër vizitë zyrtare, këtë herë u prit nga homologu i tij gjerman. Pas një takimi të shkurtër, pak pushim për të qenë gati në ndeshjen e mbrëmjes ndaj Spanjës.

Por ndeshjet e Kampionatit Europian nuk janë të vetmet që Balla shfrytëzon postin për të qenë i pranishëm. Të njëjtën gjë bëri edhe në ndeshjen në Moldavi, kur Kombëtarja siguroi kualifikimin në EURO 2024.

Në Moldavinë e largët siguroi një vizitë zyrtare nga Kryeministri i Moldavisë, Dorin Recean në Kisinau, teksa me vete kishte edhe Sekretarin e Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Ëngjëll Agaçin.

Problemi nuk është se Taulant Balla shkon të shikojë ndeshjen dhe lë pas dore punët e Ministrisë që drejton, pasi ka zëvendësministra, por problemi është që gjithë këto vizita zyrtare paguhen nga taksat e qytetarëve.

Efektivëve të Policisë ende nuk u janë paguar lekët e orëve shtesë, iu anuluan pushimet verore dhe turnet iu bënë 12 orë, ndërkohë që Ministria e Brendshme shpenzon paratë për vizita zyrtare të sajuara sa herë që ka ndeshje Kombëtarja.

Por këto janë shpërdorime të vogla në krahasim me ato që bëhen çdo ditë në këtë vend, ndaj nuk ka edhe reagim nga ana e qytetarëve, taksat e të cilëve po shpërdorohen sipas dëshirave dhe qejfeve të pushtetarëve.