Raporti i plotë i Amnistisë Penale, kush përfiton dhe cilat kategori përjashtohen nga falja apo ulja e dënimit

Më shumë se 600 të burgosur do të mund të përfitojnë nga Amnistia Penale, e cila pritet të miratohet ditën e sotme në seancën plenare në Kuvend, pas dakordësisë së opozitës me mazhorancën.

Kuvendi ka publikuar edhe raportin e plotë të Amnistisë, ku tregohet kategoritë që përfitojnë dhe ato që nuk përfitojnë ulje apo faljen e dënimit.

Me ndryshimet e fundit, janë hequr amendamentet që synonin t’i ulnin dënimet edhe ish-zyrtarëve të dënuar nga Gjykata e Posaçme, një kërkesë që e bëri opozita.

Do të amnistohen:

Të dënuar burra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet dhe persona

të dënuar me mbi 3 vjet, por që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 3 vjet.

 Të dënuara gra me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet dhe gra, që janë dënuar me vendim të formës së prerë mbi 4 vjet, që u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim një periudhë deri në 4 vjet.

 Personat e dënuar gra, të cilat, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 50 vjeç.

 Personat e dënuar burra, të cilët, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë baras ose mbi moshën 60 vjeç.

 Personat e dënuar me burgim, të cilët, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.

Të gjithë të dënuarit përfitojnë nga kjo amnisti, duke parashikuar zbritje të dënimit, përkatësisht për gratë dhe të miturit 1 vit e gjysmë dhe për burrat 1 vit duke përjashtuar disa persona që kanë kryer vepra penale kundër jetës, ata që janë dënuar me burgim të përjetshëm apo subjektet që janë dënuar nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Lidhur me rastet e ndjekjes penale për vepra penale të lehta të parashikuara me dënim maksimumi deri në 2 vjet, të cilat përfshihen në këtë amnisti, shuhet ndjekja penale, procedimi penal apo kallëzimet e rregjistruara deri në 30.11.2023, përveç 24 veprave përjashtuese që i parashikon dispozita përkatëse.

Afati i shtrirjes së amnistisë për shuarjen e dënimit dhe shuarjen e ndjekjes penale është data 30.11.2023.

Nuk amnistohen:

Nëse një person i dënuar përfiton nga kriteret e përmendura më lart, nuk përfiton nga amnistia, nëse veprat penale që ka kryer janë parashikuar si kritere ndaluese në këtë projektligj.

Projektligji përjashton nga fusha e tij e zbatimit kategoritë e veprave penale që parashikojnë rrezikshmëri të lartë shoqërore ose të dënuarit që paraqesin rrezikshmëri të theksuar, të cilat në grupime të përgjithshme veprash penale, janë veprat penale të listuara në ligj lidhur me:

 krimet kundër njerëzimit;

 krimet e rënda kundër jetës;

 veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit;

 krimet seksuale;

 veprat penale kundër lirisë së personit;

 veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit;

 veprat penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes;

 vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike;

 vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve;

 veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve;

 vepra penale kundër mjedisit;

 krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues;

 krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera;

 vepra me qëllime terroriste;

 krime kundër autoritetit të shtetit;

 vepra penale kundër drejtësisë;

 vepra penale që prekin zgjedhjet e lira dhe sistemin demokratik të zgjedhjeve;

 vepra penale të kryera nga banda të armatosura dhe organizata kriminale.

Njëkohësisht, nuk përfitojnë nga amnistia personat e dënuar me burgim për veprat penale të

parashikuara:

 në nenet 79, 79/a, 79/b, 79/c, të Kodit Penal,

 personat e dënuar me burgim të përjetshëm,

 personat e dënuar, akuzat penale ndaj të cilëve janë gjykuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas nenit 75/a të Kodit të Procedurës Penale.

Gjithashtu, përjashtohen nga amnistia personat që i janë shmangur drejtësisë. Ky parashikim është bërë për shkak se qëllimi i amnistisë është rehabilitimi i personave dhe personat që i shmangen drejtësisë nuk mund të përfitojnë nga kjo masë e cila në thelb ka humanizmin dhe riintegrimin, pasi me veprimet e tyre kanë treguar se nuk janë në kushtet e rehabilitimit dhe nuk synojnë pikërisht këtë riintegrim.

Raporti i plotë: