Raporti i KLSH-së për Onkologjikun, Partia Demokratike kërkon mocion me debat në Kuvend

Partia Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për zhvillimin e një mocioni me debat lidhur me situatën e krijuar në shërbimin onkologjik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.

Kërkesa mban firmën e deputetëve: Bardh Spahia, Manjola Luku, Klit Hoti, Tritan Shehu, Erisa Xhixho, Ledina Alolli dhe Eno Bozdo.

Kjo kërkesë vjen pas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit ku evidentohej situata e rëndë në të cilën ndodhet sot shëndetësia, e sidomos shërbimi onkologjik.

PD thotë se situata te Onkologjiku është një urgjencë, që kërkon reagim institucional e veprim të shpejtë.

“Kjo është një urgjencë, që kërkon reagim institucional e veprim të shpejtë, pasi për vetë llojin e shërbimit shëndetësor, çdo pacient është në luftë të përditshme për mbijetësë edhe për një ditë tjetër. Nevojitet llogaridhënie institucionale, marrje përgjegjësie nga ana e titullarëve apo drejtuesve respektiv dhe kësisoj përmirësim i shërbimit për pacientët. Raporti ka realizuar një auditim të plotë përfundimtar, për institucionin e politikbërjes qëndrore Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, e duke vazhduar me Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor si dhe Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore”, thuhet ndër të tjera në kërkesën e PD-së.