Kryeministri Edi Rama, në një komunikim në Facebook, u bëri thirrje bizneseve që të lirojnë hapësirat publike që kanë zënë nëpër qytete.
Rama u ndal kryesisht tek hapësirat publike që kanë zënë lokalet me tenda, apo edhe tek trarët që vendosën për parkim.
Kreu i qeverisë tha se kush nuk i liron këto hapësira, do të përballet me gjobë dhe ndjekje penale.
“Kemi zhvilluar dy takime do zhvillojmë edhe një tjetër në Durrës dhe më pas pastaj në Fier e ndoshta në Elbasan dhe në Shkodër. Në Vlorë e nisëm dje dhe sot në Tiranë vazhduam një takim që nuk u bë i plotë dje për shkak të Kuvendit. Takimet lidhur me muajin që kemi para dhe domosdoshmërinë që deputetët të rikthehen në territor për të mbledhur përfundimisht shqetësimet e qytetarëve, por në këto qytete me një fokus të veçantë tek hapësira publike. Është kthyer në një hapësirë ku ka shumë abuzim, zgjerim të paarsyeshëm të aktiviteteve të ndryshme, ka gjithfarëlloj trarësh dhe pengesa të krijuara nga koha, qe pengojnë frymëmarrjen e qytetarëve të lirë dhe komuniteteve në blloqet e banimit. Është bërë e papranueshme për shumë njerëz e lagje në qytetet e mëdha, ushtrimi i forcës, vullnetit abuziv dhe symbyllja e strukturave përkatëse, siç është krejtësisht evidente dhe e pajustifikueshme në Vlorë.
Dua të sqaroj dhe një element tjetër, do i bëj thirrje atyre që kanë keqkuptuar prej vitesh, por kjo është çështje e pushtetit vendor, sensin e pronës së përbashkët dhe të asaj private dhe këtu kam parasysh zhvilluesit e pallateve, që pasi kanë ndërtuar pallatet dhe bashkë me ta edhe ata që kanë lokalet, kanë vazhduar ta trajtojnë pronën përreth si pronë private dhje s’mund të jetë pronë private. Ju bëj thirrje atyre që zotërojnë të tilla asete, që nga trarët që vendosin për tu marrë lekë për parkim banorëve në mënyrën me abuzive duke pretenduar se është prona e tyre private”, tha Rama.
Ai paralajmëroi edhe inspektorët e Bashkive dhe të IKMT-së që të mos mbyllin sytë përpara këtyre paligjshmërive, përndryshe do përballen me situata të papëlqyeshme.
“Inspektorët e Bashkive dhe IKMT të vrapojnë shumë këto javë, që të mos përballen me faktet e syve të tyre të mbyllur, që do i çojë në situata të papëlqyeshme, dhe policia e shtetit të rrisë vigjilencë për ndërtime pa leje.”– tha Rama.