Rama tregon pse nuk e zëvendëson Belinda Ballukun me një ministër të pakorruptuar

Kryeministri Edi Rama ka dalë sërish sot për të mbrojtur publikisht Belinda Ballukun para qytetarëve, e për të bindur shqiptarët se ajo nuk duhet pezulluar, por duhet lënë të vijojë të menaxhojë miliarda euro nga buxheti i shtetit.

Pasi tregoi se punët e Shqipërisë po lihen përgjysmë për shkak se duhet firma e ministres, Rama iu përgjigj edhe pyetjes që e bëjnë të gjithë: Përse nuk e shkarkon Ballukun dhe të emërojë një ministër të pakorruptuar për të vijuar punët në ministri?

Sipas tij, luftën me drejtësinë nuk po e bën për Belinda Ballukun, por për të mos krijuar një problem për më vonë, ku ministrat mund të hiqen pa gjyq apo pa vendime të formës së prerë.

“Po mirë, pse nuk e heq ky kministren dhe të zgjidhet ky problem? Jo, sepse heqja e ministrit nuk do zgjidhte këtë problem, por do krijonte një problem themelor të nessërmen, për çdo qeveri, sepse do krijonte idenë se ministrat mund të hiqen pa gjyq, pa vendim të formës së prerë, pa dorëheqje e pa vendim të kryeministrit, dhe thjesht mjafton një masë sigurie në gjykatë të shkallës së parë, do kthehej në ujk që do kafshonte qeveritë, do përbuzte Parlamentet, do përqeshte votën popullore nga e cila buron qeveria. Ja pse kam shkuar unë në Gjykatën Kushtetuese, për të hequr të parin pezullim në botë të një ministri me vendim gjykate. Nuk ka asnjë lidhje fare me emrin e vetë ministrit”, tha Rama.