Kryeministri Edi Rama ka refuzuar që të komentonte masat e dhëna dje nga GJKKO për zv.kryeministren Belinda Balluku, teksa priste në Pallatin e Brigadave liderët e Ballkanit Perëndimor dhe Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos.
I pyetur nëse do të zbatonte vendimin e GJKKO për të shkarkuar numrin dy të qeverisë apo do të sfidonte drejtësinë, Rama refuzoi që të bënte një koment, ndërsa u tha se për çdo pyetje do të përgjigjet në konferencën për shtyp që do të mbajë më vonë gjatë ditës.
“Kaq të vështirë e keni të respektoni kohën. Këtu jemi për të parë dhe ndjekur ardhjen e miqve sot, në një ditë kaq të rëndësishme për këtë vend. Më pas mund t’i bëni të gjitha pyetjet. Kjo ‘hapni vendin, se do të hidhem’, nuk shkon”- u shpreh Rama.
Kujtojmë se dje Rama zhvilloi një takim prej 7 orësh me Ballukun në Kryeministri, pasi kjo e fundit u pezullua nga detyra e saj, dhe njëkohësisht GJKKO e ndaloi që të dilte jashtë vendit.
SPAK njoftoi një ditë më parë se ka ekzekutuar masat e pezullimit nga detyra të Ballukut si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe “Ndalim të daljes jashtë shtetit”. Ndërsa për dy vartësit e saj, Gentian Gjylin dhe Erald Elezin është vendosur “arrest në shtëpi”.
Balluku akuzohet se bashkë me vartësit e saj kanë paracaktuar fituesit në dy tenderë me vlerë 210 mln euro, atë të Tunelit të Llogarasë 190 mln euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe 20 mln euro.