Rama quan të paudhë protestuesit: Duart e huaja janë futur për të na ndalur

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish protestuesit që kërkojnë largimin e tij duke i quajtur ata të paudhë.

Në një video-mesazh mëngjesin e kësaj të shtune, Rama flet sërish për duar të huaja, që sipas tij ndodhen pas revoltës studentore, dhe që nuk duan që vendi të ecë përpara.

Rama thotë se detyra e tij është të çoj vendin përpara në rrugën drejt BE, por nuk do të lejojë që dhuna dhe shkatërrimet nga të paudhët, siç thotë ai, të rrezikojnë të ardhmen e vendit.

“Ne i respektojmë studentët, unë e çmoj forcën e ëndrrave të tyre si motorin e të ardhmes, si shtysën për të ecur më shpejt përpara. Zëri i tyre duhet dhe do të dëgjohet me respekt. E drejta e tyre për të protestuar duhet dhe do të mbrohet si e drejtë [për të cilën në kemi luftuar në kohë të ndryshme. Por pikërisht pse të rinjtë janë e ardhmja jonë, unë nuk do të lejoj askënd dhe asgjë ta rrezikojë të ardhmen e këtij vendi, as për përfitime politike të atyre duarve të paudha që janë rikthyer me tërbimin e djegies dhe shkatërrimit dhe as për qëllimet e prapështa të duarve të huaja që janë futur për të na ndalur. Përgjegjësia ime është me e qartë në këto orë të vështira sesa në cdo orë të mira. Të mbroj qytetarët tanë, të garantoj drejtësinë dhe ta çoj Shqipërinë përpara së bashku me këtë shumicë qeverisëse që ka një mandat të qartë, Shqipërinë 2030 në BE”, tha Rama.

Ai ka njoftuar se qeveria do t’u vijë në ndihmë të gjitha bizneseve të vogla të dëmtuara gjatë protestave të dhunshme. 

“Po bëjmë verifikime. Kemi bërë gati një dritare që do të shfaqet tek e-Albania, ku do të mund të regjistroheni duke futur të gjitha të dhënat: emër, mbiemër, identitetin dhe NIPT-in. Pastaj e-mailin, numrin e celularit, të dhëna si sipërfaqja, kompania e sigurimit, parashikimi i dëmit dhe më pas do të ngarkoni dokumentet, që janë pamjet, bashkë me faturat. Do të shikohet edhe raporti me shtetin sa i përket pagesave të detyrimeve. Pasi të bëjmë verifikimet, do të mbledhim një regjistër të të gjitha dëmeve. Ne do t’ju vijmë në ndihmë të gjithëve.

Çdo biznes që është dëmtuar nga vala e dhunës së verbër ka një dritare ku do të mund të regjistrojë dëmin. Siç u thashë miqve të dëmtuar në këtë biznes të vogël, 10 grupe verifikimi nga Tatimet do të jenë në terren për të mbledhur të dhënat e dëmeve mbi biznesin e vogël në kryeqytet. Do t’i kthejmë gërmadhat e verbërisë në shembuj të forcës”, u shpreh Rama.