Kryeministri Edi Rama është pyetur sërish për marrëveshjen me Italinë për strehimin e emigrantëve në Gjadër.
Në një bashkëbisedim në Këshillin e Atlantikut, ai tha se gjithë kjo zhurmë për këtë marrëveshje ka ndodhur sepse Shqipëria nuk është vend anëtar i Bashkimit Europian, ndaj ka edhe të tilla paragjykime mbi strehimin e emigrantëve në vendin tonë.
Rama u shpreh se të gjitha kritikat i sheh me keqardhje, teksa theksoi se do të ketë vetëm 3000 vende për emigrantët dhe jo më shumë siç raportohet në disa media.
“Është një qendër dhe është një tjetër terminal pritjeje në kufij, ku këta persona do të regjistrohen së pari në momentin që hyjnë. 36 mijë është një numër i imagjinuar me dëshirë, bazuar në idenë që ky proces do të jetë një proces kaq italian dhe do të punojë si orë zvicerane. Që do të thotë se do të vijnë çdo muaj 3000 emigrantë dhe në fund të vitit të jenë 36 mijë.
Edhe nëse do të jetë kështu, çështja është që kjo qendër pritje migrantësh do të ketë vetëm 3000 vende. Do të ndërtohet 100% bazuar në kriteret që BE ka hartuar për mënyrën si duhet të funksionojnë këo qendra. Marrëveshja është 100% në kuadrin e së drejtës ndërkombëtare.
Arsyeja pse ka ndodhur gjithë kjo zhurmë është 1. Shqipëria nuk është anëtare e BE, ja pse kjo është quajtur me gjithë emrat më të papërshtatshëm, nga Guantanamo në shkelje e të drejtave ndërkombëtare. Nëse kjo marrëveshje do të ishte bërë mes Italisë dhe një vendi tjetër të BE, asnjë nuk do të ishte marrë me të.
Mendoj se kjo është e trishtë, pasi tregon një paragjykim, asgjë më shumë, kundrejt vendit tonë dhe vendeve që nuk janë anëtar të BE. Thjesht i shoh të gjitha këto komente e kritika me një lloj keqardhje, por s’ka ndonjë rëndësi” tha Rama ndër të tjera.