Partia Demokratike kërkon një mocion me debat mbi prioritet e shpallura të Qeverisë në programin politik të saj, si dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike.
Në shkresën drejtuar Kuvendit, PD thekson se është e domosdoshme që të zhvillohet një debat, për një çështje të veçantë, siç është bilanci i Qeverisë aktuale në realizimin e programit politik të kaluar dhe programi politik qeverisës në periudhën në vijim.
“Qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë politikanë me integritet të lartë, pa rekorde kriminale në të kaluarën e tyre dhe pa kontakte me elementë të krimit të organizuar” thuhet në letrën drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi.
Kujtojmë se kryeministri Edi Rama nuk e prezantoi programin qeverisës pas tensioneve që u krijuan në sallë, por kryetari Peleshi e kaloi atë në votim. Pas votimit, Peleshi njoftoi mbylljen e seancës, edhe pse ajo ishte parashikuar që të zgjaste të paktën 24 orë.
Letra e Gazment Bardhit drejtuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi:
Shqipëria ka hyrë në një fazë të rëndësishme të rrugëtimit të saj europian dhe ku përgjegjshmëria dhe llogaridhënia e qeveisjes janë themele të rëndësishme në një vend që aspiron antarësimin në Bashkimin Euopian. Në vlerësimin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Kuvendi i Shqipërisë është e domosdoshme që të zhvillojë një debat, për një çështje të veçantë, siç është bilanci i Qeverisë aktuale në realizimin e programit politik të kaluar dhe programi politik qeverisës në periudhën në vijim.
Anëtarësimi në Bashkimin Europian, që përfshinë detyrimisht rritjen e qëndrueshme ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, janë çështje që duhet të shqetësojnë çdo deputet të Kuvendit të Shqipërisë dhe ky i fundit duhet të ketë rol të qenësishëm në çuarjen përpara të kësaj axhende.
Gjithashtu, efikasiteti i qeverisjes është i lidhur drejtpërdrejtë me integritetin e ministrave të emëruar, sepse dyshimet për kriminalizim të jetës politike dëmtojnë rëndë besimin e qytetarëve tek institucionet publike dhe përbën një regres të theksuar marrëdhëniet e shtetit shqiptar me partnerët e saj ndërkombëtarë. Qytetarët shqiptarë duan dhe meritojnë politikanë me integritet të lartë, pa rekorde kriminale në të kaluarën e tyre dhe pa kontakte me elementë të krimit të organizuar.
Prandaj, duke pasur parasysh sa më lart, në cilësinë e kryetarit të Grupit Parlamentar të PD-së, në mbështetje të nenit 98, pika 1, të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, kërkoj zhvillimin e një mocioni me debat mbi prioritet e shpallura të Qeverisë në programin politik të saj, si dhe ndërhyrjen e krimit të organizuar në jetën publike të vendit.”