Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me asambletë socialiste të njësive 1 dhe 2 foli sërish për Reformën në Drejtësi. Teksa mori edhe njëherë meritat për këtë të fundit, Rama tha se ishte Partia Socialiste që i dorëzoi shpatën drejtësisë, duke marrë parasysh se mund të godiste edhe brenda kësaj force politike.
“Ne ja dorëzuam zonjës së drejtësisë shpatën duke pasur parasysh që ajo shpatë do pres koka që mund të jenë edhe tonat”- nënvizoi Rama.
Më tej ai tha se nuk ka ndodhur kurrë më parë që të arrestohej një person që ishte i lidhur me pushtetin, ashtu siç ka ndodhur vitet e fundit.
Gjatë këtij takimi Rama u ndal edhe tek procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian ku sipas tij vendi ynë ka procesin më të shpejtë të anëtarësimit nga të gjithë të tjerët para nesh.
“Arsyeja tjetër pse duhet të jeni krenar është lufta kundër korrupsionit, e kemi bërë ne nëse s’do ta kishim bërë ne, do të duhet të na tregonin se kur ka ndodhur më parë kjo. Unë s’di që nga 1912 dhe deri pasi ne kaluam reformën dhe pasi u ngrit SPAK dhe GJKKO të jetë kap ndonjë person publik politik nga një prokuror dhe gjykatës, të jetë bërë hetimi dhe të jetë bërë dënimi, i lidhur ky person me ata që janë në qeveri. Këtë e kemi bërë ne, se kanë bërë të tjerët. Thonë po si e bëtë kur do kapeshin edhe njerëzit tuaj, sepse misioni i PS është të bëjë shtetin demokratik europian të shqiptarëve, kush merr përsipër të udhëheq duhet të marr përsipër të gjitha dhimbjet që ka një proces. Kjo është drejtësia dhe zonja që njihet si simboli i drejtësisë, shpatën e kësaj e kishte në dorë qeveria dhe priste kokat që donte dhe falte ato që nuk donte të priste, ne ja dorëzuam zonjës së drejtësisë shpatën duke pasur parasysh që ajo shpatë do pres koka që mund të jenë edhe tonat. Por, ama nëse e shohim në pikturën e madhe të interesit kombëtar është e vetmja rrugë që kemi një drejtësi që nuk pyet sa i gjatë je dhe sa i shkurtër, je i pasur apo i varfër, ose sa miq ke, por të gjykon në bazë të marrëdhënies tënde me ligjin”- u shpreh Rama.