Rama mbledh sot drejtuesit politikë në qarqe, lista e kandidatëve drejt përfundimit

Pas dy ditësh takime me qeverinë dhe grupin parlamentar, kryeministri Rama do të mbledhë sot drejtuesit politikë në qarqe të Partisë Socialiste.

Secili prej tyre do t’i dorëzojë kryeministrin listën paraprake me kandidatët e mundshëm për të garuar në zgjedhjet e 11 Majit.

Më pas, diskutimi do të vijojë për ata që do të garojnë në listë të mbyllur dhe ata në listën e hapur, ku në këtë të fundit pritet të jenë të gjithë emrat e vjetër socialistë, përveç ministrave dhe drejtuesve politikë që e kanë siguruar emrin në listën e mbyllur.

Pjesë e listës së hapur pritet të jetë edhe vetë kryeministri Edi Rama, që ka deklaruar se do të garojë në qarkun e Tiranës.

Afati i fundit i dorëzimit të listave në KQZ është 12 Marsi, ndaj edhe socialistët ditën e sotme duket se do të përfundojnë përpilimin e listës, me të cilën do të dalin para qytetarëve në 11 Maj.