Kryeministri i vendit dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama mbajti fjalimin e fitores për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai e cilësoi votën e 11 majit si votë referendare, e cila sipas tij do të realizojë ëndrrën për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ja ku u rikthyem përsëri këtu 33 ditë nga dita që u nisëm, fillimisht me gratë dhe vajzat komando të PS-së, në të 12 qarqet dhe pastaj në të gjithë nga sheshi i Skënderbeut për të mbledhur çfarë mbollëm me shumë punë dhe mund për 4 vite me radhë në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve.
Për 30 ditë shqiptarët dëgjuan, vlerësuan dhe më 11 maj ata vendosën të na e besojnë ne PS-së mandatin e katërt. Dhe na besuan më shumë se asnjëherë më parë për një sfidë me të madhe se 4 vite më parë.
Për 4 vite ne mbodhëm më shumë besim te Shqipëria ndaj mlodhën edhe më shumë shpresë e rezultat, për Shqipërinë Europiane, një votë referendare për Shqipërinë që do anëtarësohet në BE.”, tha ai.
Ai premtoi se mandati i katërt i qeverisë socialiste do siguronte mbylljen e negociatave më 2027 vendosjen e Shqipërisë në oborrin e BE me të drejta të barabarta.
“Mandati që mbyllëm ishte më i forti i një partie politike. Ky që sapo na kanë dhënë do të jetë një mandat politikisht po aq i fortë sa ai i 92. Ne do të bëjmë të pamundurën që ta bëjmë një mandat po aq domethënës duke mbyllur negociatat brenda 2027 dhe duke vendosur karrigen e Shqipërisë në familjen e BE. Koha e deshi që në këtë shesh të Skënderbeut t’ua kërkojmë shiqptarëve shansin për tu bashkuar me Europën dhe ndarjen me Azinë. Shqiptarët na i plotësuan kërkesën me një mbështetje po aq kuptimplotë. Në Europën për Shqipërinë dhe në Shqipërinë për Europën. Është një mandat për tu bërë një me fatin europian.”, theksoi Rama.