Rama i ka “halë në sy”, edhe Meta shokohet nga gjendja e Prokurorisë së Tiranës

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar shpeshherë Prokurorinë e Tiranës, sidomos për çështjen e 21 Janarit, ndërkohë që sot ishte radha e Ilir Metës për të parë nga afër gjendjen e kësaj Prokurorie.

Ai u thirr për t’u marrë në pyetje në lidhje me kallëzimin e depozituar për vjedhjen e serverit në selinë e Partisë së Lirisë, teksa pas daljes dha edhe një deklaratë të shkurtër për mediat.

Ai tha se ishte i shokuar nga gjendja e godinës së Prokurorisë së Tiranës, pasi ishte e palyer dhe ashensori nuk i punonte. Ai bëri thirrje që deputetët të shkojnë dhe ta shikojnë vetë, ndërsa akuzoi kryeministrin Rama se kujdeset vetëm për kushtet e 2-3 prokurorëve të SPAK.

“Jam shokuar nga gjendja e Prokurorisë së Tiranës, situatë e rëndë, deputetët të vijnë të shikojnë gjendjen. Është Ramaforma, kujdeset për kushtet e 2-4 prokurorëve të SPAK që i ka futur në xhep Ëngjëll Agaçi. Mal me dosje, do bëjmë thirrje që të paktën ta lyejnë nga brenda, të rregullojnë ashensorin”, tha Meta.