Rama i futi në Parlament, Drejtësia i nxori! Kush janë socialistët që nuk përfunduan mandatin e deputetit

Prej më shumë se 11 vitesh, pushteti i Edi Ramës, korrupsioni dhe krimi kanë ecur dorë për dore duke shkelur mbi besimin që iu dha kryeministrit nga populli shqiptar.

Në këto 11 vite, kemi parë shumë punonjës të administratës shtetërore, nga më i thjeshti deri te zyrtarë të lartë, të cilët janë burgosur për shkak të korrupsionit apo lidhjeve me krimin e organizuar.

Por, shkallët drejt pushtetit absolut që zotëron sot, Rama i ka ngjitur krah për krah edhe me disa deputetë që i futi në Parlament, por që nuk arritën të qëndronin gjatë, për shkak se drejtësia zbuloi lidhjet e tyre kriminale dhe u ndërpreu mandatin.

I pari socialist i Ramës që la mandatin për shkak të korrupsionit ishte Ilir Beqaj, në kohën që PS ishte në opozitë, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Sipas Gjykatës, në vitin 2009 deputeti Beqaj kishte përfituar përmes një kompanie në të cilën ishte ortak, një tender nga Bashkia e Durrësit për instalimin e disa sistemeve elektronike, ndërkohë që Kushtetua ndalon që deputetët të përfitojnë nga fondet publike.

Atëherë drejtësia u mjaftua vetëm me heqjen e mandatit, por sot Ilir Beqaj ndodhet në qeli, pasi zakonin e vjedhjeve të fondeve publike nuk e harroi kurrë.

Më poshtë, po ju sjellim listën e deputetëve socialistë që lanë mandatin në mes, disa e dorëzuan, ndërsa të tjerëve ua hoqi Drejtësia:

Arben Ndoka – Ai e la mandatin e deputetit në vitin 2015, për shkak se ishte dënuar nga autoritetet italiane për Prostitucion. Disa vite më vonë, SPAK e akuzon edhe për Urdhërimin e disa vrasjeve, pas ëprgjimeve që dolën në aplikacionin SKY.

Alqi Bllako – Deputeti Bllako u katapultua nga Sekretar i Ministrisë së Mjedisit në deputet papritur, por më vonë u zbulua se kjo “ngritje në detyrë” ishte për shkak se kishte firmosur pa iu dridhur qerpiku për inceneratorët. Kjo aferë i mori edhe mandatin e deputetit, ndërsa sot ndodhet në qeli duke vuajtur dënimin e dhënë nga Gjykata.

Saimir Tahiri – Arrestimi i Saimir Tahirit ishte ngjarja më e bujshme e disa viteve më parë, pasi ish-ministri u akuzua për shpërdorim detyre, teksa u zbulua se kushërinjtë e tij trafikonin kanabisin e mbjellë në vendin tonë jashtë Shqipërisë. Ai dorëzoi mandatin e deputetit dhe u arrestua 4 vite më vonë.

Armando Prenga – Deputeti socialist iu hoq mandati i deputetit, pas përplasjes me fisin Cala për Lagunën e Patokut. Pasi rezultoi se Prenga kishte qëlluar me armë, deputeti u arrestua dhe iu hoq dhe imuniteti nga Parlamenti pasi çështja kaloi në hetim.

Mark Frroku – Mark Frroku e la mandatin e deputetit duke njoftuar me një letër Kuvendin, pasi akuzohej për vrasje në Belgjikë.

Koço Kokëdhima – Si Ilir Beqajt, edhe Koço Kokëdhimës mandati iu hoq nga Gjykata Kushtetuese, pasi akuzohej se kishte përfituar 150 tendera gjatë kohës që ishte deputet, në shkelje të ligjit.

Lefter Koka – Ish-ministri i Mjedisit që sot ndodhet në burg për aferën e inceneratorëve, la mandatin e deputetit që fitoi në zgjedhjet e vitit 2021 9 ditë përpara se të betohej. Ai akuzohej për aferën e inceneratorëve, për të cilën sot po vuan 2 dënime me burg.

Rrahman Rraja – Rraja e dorëzoi mandatin e deputetit pas ngjarjes së rëndë ku familjarë të tij dhunuan barbarisht 2 persona  të cilët ishin ankuar në polici në lidhje me dëmet që i kishin shkaktuar shpërthimet nga gurorja në pronësi të vëllait të deputetit. Vëllai dhe djali i tij janë ende në kërkim nga policia

Arben Ahmetaj – Ish-zv.kryeministrit iu hoq mandati i deputetit pasi nuk mori pjesë në seancat plenare për 6 muaj, për shkak se ishte arratisur. Ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK pasi akuzohet për aferën e inceneratorëve, teksa në daljet publike akuzon kryeministrin Rama se ka ndikuar në dënimin e tij.

Jurgis Çyrbja – Dorëzimi i mandatit të deputetit Çyrbja ishte e papritur, teksa nuk janë bërë ende të ditura arsyet e këtij veprimi. Ai u pyet 2 ditë më parë nga SPAK për 5 orë për një kallëzim të bërë  nga Edi Paloka në kohën kur Çyrbja ishte drejtor i Hipotekës në Durrës. Ndoshta gjetjet e SPAK kanë detyruar Çyrbjan të dorëzonte mandatin, ndërsa nuk dihet nëse do të ketë akuza zyrtare dhe ndoshta një arrestim të tij.