Pushimet verore kanë nisur zyrtarisht, ndaj bregdetet shqiptare janë dyndur me pushues shqiptarë dhe të huaj, për të kaluar këto ditë të nxehta vere.
Një pjesë të madhe të të ardhurave të turizmit në vendin tonë i sjellin shqiptarët e Kosovës, të vetmit që nuk e tradhtojnë kurrë bregdetin shqiptar, pasi çdo vit vendosin që ditët e pushimit t’i kalojnë në Shqipërinë aq shumë të dashur për ta.
Edhe këtë vit ka ndodhur e njëjta gjë, pasi në doganën e Morinës çdo ditë ka një fluks të lartë mjetesh që vijnë nga Kosova. Në ndihmë të qytetarëve kanë ardhur edhe autoritetet, pasi Polciia Kufitare po operon me procedurën e kalimit të kufirit pa kontrolle, përjashtuar rastet për automjete e qytetarë nga shtete të tjera që hyjnë në Shqipëri përmes Pikës Kufitare të Morinës.
Vetëm ditën e djeshme, numri i qytetarëve në hyrje përllogaritet deri në 13 mijë, me më shumë se 6100 automjete. Ditët në vijim pritet që ky numër të shtohet, teksa operatorët turistikë kanë deklaruar se ky vit do të ketë një rritje të konsideueshme të turistëve që do të vizitojnë Shqipërinë.