Qytetarët protestojnë të hënën te Ministria e Brendshme: Të dalë e vërteta për policin që arrestoi djalin e Samir Manes

Qytetarët do të protestojnë ditën e hënë para Ministrisë së Brendshme lidhur me ngjarjen ku një polic tentoi vetëvrasjen duke u hedhur nga kati i 11-të i pallatit ku banonte, pak ditë pasi kishte arrestuar djalin e biznesmenit të njohur, Samir Mane, që kishte shkaktuar një aksident

Qëllimi i kësaj proteste është që Policia dhe Prokuroria të reagojnë dhe të sqarojnë deri në fund ngjarjen dhe të vënë përpara përgjegjësisë këdo që ka shkelur ligjin dhe ka ushtruar presion ndaj policit dhe qytetarit Azbi Spahiu.

Lexo edhe: https://ditar.al/si-i-shpetoi-arrestimit-djali-i-samir-manes-refuzoi-te-bente-testin-e-alkoolit-policia-njoftoi-mediat-por-nuk-e-kallezoi-ne-prokurori-si-te-dehur/

Kujtojmë se djali i Manes më datë 12 janar u përfshi në një aksident duke përplasur dy motora ndërsa refuzoi që të bënte testin e alkoolit.

Por policia ka tjetërsuar ngjarjen në deklaratën për media, duke bërë një referim të ndryshëm të saj në Prokurori.

Policia deklaroi në media se 28 vjeçari kishte përplasur 2 automjete të parkuara, por në të vërtetë Martin Mane ka përplasur 2 motorë që shërbejnë për shpërndarjen e porosive të një biznesi privat.

Jo vetëm kaq, pasi policia deklaronte në njoftimin për media se i riu ishte në gjendje të dehur, por në të vërtetë, atij nuk iu bë asnjë test alkooli, për shkak se e refuzoi 2 herë me pretekstin se vuante nga alergjia. Gjithashtu nuk pranoi as t’i merrej kampion gjaku se vuante nga alergjia.

Lexo edhe: https://ditar.al/u-hodh-nga-kati-i-11-te-gazetarja-zbulon-mesazhin-e-fundit-te-policit-qe-arrestoi-djalin-e-samir-manes-duan-te-me/

Njoftimi për protestën

E VËRTETA DO TË NA BËJË TË LIRË

Sot e gjithë shoqëria shqiptare kërkon të vërtetën për shkaqet që e shtynë policin Azbi Spahiu të tentojë vetëvrasjen. Sipas të dhënave paraprake të gazetarëve, ky akt lidhet me arrestimin e të birit të oligarkut më të fuqishëm në Shqipëri, Samir Mane.

U bënë tre ditë dhe Policia e Shtetit nuk ka dhënë asnjë shpjegim për këtë ngjarje të rëndë. A i është bërë presion dhe kush i ka bërë presion për shkak të detyrës policit Azbi Spahiu?

Prej tre ditësh hesht qeveria. Hesht opozita e vjetër. Heshtin thuajse të gjitha televizionet.

Kjo ngjarje në kufijtë e tragjikes nxjerr lakuriq të vërtetën e sistemit ekonomik, politik dhe mediatik në Shqipëri: Barazia përpara ligjit nuk ekziston dhe njeriu i thjeshtë, qoftë ai edhe një polic, nuk është i sigurt.

Ne u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që të bashkohen në një protestë masive të hënën në orën 17:00 përpara Ministrisë së Brendshme. Kërkojmë me ngulm nga Policia e Shtetit, Prokuroria dhe të gjitha organet e tjera shtetërore të sqarojnë deri në fund ngjarjen dhe të vënë përpara përgjegjësisë këdo që ka shkelur ligjin dhe ka ushtruar presion ndaj policit dhe qytetarit Azbi Spahiu. Dje i ndodhi Azbiut. Nesër mund t’i ndodhë secilit prej nesh.

Bashkohuni në protestë!