Qeveria u bllokoi pagat, Shoqata e Prokurorëve: Nuk kërkojmë privilegje, por zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Shoqata e Prokurorëve ka reaguar lidhur me situatën e krijuar me pagat e muajit gusht të magjistratëve, të cilat janë bllokuar nga qeveria, pasi KLGJ dhe KLP vendosën rritjen e tyre.

Me anë të një deklaratë publike, shoqata sqaron se bllokimi nuk lidhet me kërkesa të reja për rritje apo privilegje, por me dështimin e institucioneve shtetërore për të zbatuar një vendim detyrues të Gjykatës Kushtetuese.

Shoqata e Prokurorëve sqaron opinionin publik se pas mosmiratimit nga Kuvendi të ndryshimeve ligjore brenda afatit të 31 korrikut, nga 1 gushti 2026 hyri në fuqi mekanizmi i përcaktuar në Vendimin nr. 35/2022 të Gjykatës Kushtetuese.

Në zbatim të tij, KLGJ dhe KLP miratuan pagën referuese dhe nisën procedurat për ekzekutimin e pagave.

Shoqata sqaron se pagat janë llogaritur dhe urdhërpagesat janë nxjerrë, por ekzekutimi i tyre është bllokuar administrativisht në degët e Thesarit.

Ndërkohë, në Kukës dhe Dibër pagat sipas kuadrit të ri janë ekzekutuar, duke treguar se zbatimi është i mundur.

REAGIMI:

PAGAT E MAGJISTRATËVE: NJË ÇËSHTJE THEMELORE E SHTETIT TË SË DREJTËS. Në ditët e fundit është krijuar një situatë e pazakontë lidhur me ekzekutimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Për të shmangur keqinformimin dhe keqinterpretimet,

Shoqata e Prokurorëve sjell në vëmendjen e opinionit publik disa sqarime mbi çfarë ka vendosur Gjykata Kushtetuese, çfarë kanë vendosur organet e qeverisjes së drejtësisë dhe pse pagesat aktuale nuk po ekzekutohen.

Kjo çështje nuk lidhet me një kërkesë të re për privilegje apo rritje page, por me zbatimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese dhe me detyrimin e institucioneve shtetërore për ta zbatuar atë. Më poshtë, disa fakte dhe sqarime për publikun.