Qeveria shqiptare ka dështuar në lidhje me objektivin e saj e 14 milionë turistëve për vitin 2024. Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro në fjalën e saj gjatë një takimi me fokus turizmin, tha se Shqipëria është vizituar nga 9.7 milionë vizitorë të huaj në 9 muaj e parë të vitit.
“9,7 milionë vizitorë të huaj që kemi pritur nga janari në shtator, në mbyllje të sezonit, duke arritur pothuaj gjithë bilancin e vitit që shkoi, që ishte edhe viti rekord në turizëm. Janë tregues i një turizmi që rritet bashkë me ambiciet tona për të konsoliduar një ofertë me nivelet më të larta të cilësisë, standardeve dhe mikpritjes”, konfirmoi ministrja Kumbaro.
Teksa na ndajnë edhe 3 muaj nga fundi i këtij viti, duhen mbi 4 milionë turistë që t’i përafrohet shifrës së propaganduar nga kryeministri Edi Rama.
Ky i fundit gjatë daljeve të shumta, e ka vënë theksin te rritja e numrit të lartë të turistëve. Madje ai shumë i sigurt doli para shqiptarëve duke thënë se nëse në vitin 2023 Shqipëria u vizitua nga 10 milionë turistë, në 2024 kjo shifër do të ishte 14 milionë.
“Shikojeni se çfarë kemi arritur me turizmin, në një vend, ku deri përpara disa vitesh as që mund të gjendeshin 10 veta bashkë, që mos të të merrnin për të çmendur, po të imagjinoje se në Janar-Shkurt 2024 do të hynin në Shqipëri 1 milionë turistë të huaj. Nëse ky trend vazhdon atëherë 10 milionë turistët e vjetshëm, do të bëhen afro 14 milionë këtë vit”- do të deklaronte Rama në mars të këtij viti.