Qeveria miraton Amnistinë Penale, 447 persona lirohen menjëherë nga burgu

Qeveria ka miratuar Amnistinë Penale, ku pritet që mijëra të dënuar të përfitojnë, lirim të menjëhershëm, apo ulje të dënimit.

Lajmin e bën të ditur Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, i cili shprehet se 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm, ndërsa 853 të tjerë ulje dënimi.

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë miratuam Amnistinë Penale, nismën që prezantuam rreth një muaj më parë dhe nga sot ky vendim depozitohet në Kuvend. Nga të dhënat më të fundit të rakorduara me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, Shërbimin e Provës si dhe Prokurorinë e Përgjithshme, rezulton se plot 447 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm dhe 853 të tjerë ulje dënimi, ndërkohë nga Shërbimi i Provës amnistohen 5077 të dënuar me masa alternative“- tha Lamallari.

Ndërkohë Lamallari thotë se tashme i takon Kuvendit ta shqyrtojë projektligjin pa vonesa në mënyrë që amnistia të fillojë efektet e saj.

“Objektivi ynë ambicioz është të kemi një sistem që di të ndëshkojë fort kur duhet, por edhe të japë një shans për t’u rikthyer në shoqëri. Drejtësia nuk është vetëm ndëshkim, por edhe një mundësi e dytë e drejtuar nga humanizmi dhe rehabilitimi.  Falënderoj të gjitha institucionet që kontribuuan në këtë proces dhe pres që Parlamenti ta shqyrtojë projektligjin sa më parë, në mënyrë që efektet pozitive të amnistisë të ndihen nga mijëra familje shqiptare”, deklaron Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari. Nga kjo amnisti nuk përfitojnë subjektet e Prokurorisë dhe Gjykatës së Posacme për Korrupsionit dhe Krimit e Organizuar.”, shtoi ai.

Kujtojmë se nëse drafti do të marrë miratimin e deputetëve në Kuvendin i Shqipërisë, nga amnistia do të përfitojnë burrat që deri më 31 dhjetor 2025 janë dënuar me vendim të formës së prerë apo u ka mbetur edhe 3 vite burg dhe vendimi ka marrë formë të prerë dhe gra që janë dënuar me 4 vite burg me vendim të formës së prerë deri në fund të vitit të kaluar, me përjashtim të disa kategorive të veprave penale.

Lirim të menjëhershëm do të përfitojnë edhe të gjitha gratë që deri në hyrjen në fuqi të këtij ligji do t’u ketë mbetur edhe 4 vite burg për të vuajtur, pavarësisht masës së dënimit, apo burrat që  deri në hyrjen në fuqi të ligjit do të kenë edhe 3 vite të tjera burgim, pavarësisht sa janë dënuar.

Do të lirohen të gjitha gratë që në momentin kur hyn ligji në fuqi kanë mbushur 50-vjeç. Gjithshtu, edhe burrat duke nisur nga 60-vjeç, si dhe personat që ishin të mitur kur kryen veprën penale.

Ndërkohë 1 mijë të tjerë do të përfitojnë ulje të dënimit. Sipas draftit, është parashikuar ulja e dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë dhe të miturit.

Nuk përfitojnë amnisti personat që i janë shmangur drejtësisë, si ata të arratisur ose të fshehur, dhe të dënuarit për krime të rënda, përfshirë krime kundër jetës dhe njerëzimit, krime seksuale, terrorizëm, vepra që cenojnë rendin kushtetues, autoritetin e shtetit, mjedisin, ekonominë dhe pasurinë, si dhe veprat penale që lidhen me zgjedhjet dhe demokracinë.

Amnistia nuk do të prekë personat me burgim të përjetshëm dhe ata të cilët gjykohen ose janë në hetim nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.