Komisioni i Ligjeve pritet të shqyrtojë në Kuvend projektligjin e ri të Qeverisë për ndryshimin e ligjit për prokurimet publike, duke propozuar ndryshime rrënjësore. Qeveria shprehet e gatshme të ndërtojë një sistem të ri të prokurimeve dhe shqyrtimit të ankesave bazuar në Inteligjencë Artificiale.
Për këtë, projektligji i qeverisë parashikon që entet publike mund të kërkojnë nga kompani private që mund të kryejnë për llogari të tyre prokurime publike. Pra, kompani private, bazuar në disa kritere, do mund të kryejnë tendera për llogari të institucioneve publike përkundrejt një pagesë që do përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Por kjo nuk do jetë ndryshimi i vetëm. Agjencia e blerjeve të përqendruara do i rrisë kompetencat e veta duke u kthyer në një shoqëri dhe do prokurojë pothuaj të gjitha tenderat e mëdha të institucioneve publike. Nga ana tjetër, është parashikuar që punonjësit publike që shërbejnë në komisione tenderash të shpërblehen nga qeveria.
Një tjetër ndryshim thelbësor në vjen në projektligj i propozuar nga Kuvendi është edhe ndalimi i kompanive offshore, me pronarë të thjeshtë, që të marrin pjesë në gara publike për tendera apo koncensione. Qeveria pretendon se projektligji është konsultuar edhe me delegacionin e Bashkimit Europian dhe aktorë të tjerë.
Tendera nga kompani private
“Autoriteti ose enti kontraktor me qëllim realizimin e një veprimtarie ndihmëse për prokurimin publik, sipas parashikimeve të nenit 4, pika 43/1, të këtij ligji, mund të kontraktojë ofrues të shërbimit të prokurimit”. Kështu nis pika e parë e ndryshimi të nenit 21 të ligjit të prokurimeve publike. Projektligji i ri ua lë në dorë vetë institucioneve publike të gjykojnë se kur mund të kontraktojë kompani private për të organizuar tender për llogari të tyre.
Kritetet e projektligjit për kompanitë private që mund të zhvilojë procedura prokurimi:
Autoriteti ose enti kontraktor kontrakton subjekte private me eksperiencë ndërkombëtare, të cilat duhet të përzgjidhen sipas procedurave të parashikuara nga dispozitat e këtij ligji dhe akteve të tjera ligjore e nënligjore në fuqi.
Në çdo rast, pavarësisht vlerës së përllogaritur të kontratës, autoriteti ose enti kontraktor ka detyrimin të hartojë dokumentet e tenderit edhe në gjuhën angleze.
Subjekti privat, që do të kontraktohet nga autoriteti ose enti kontraktor si ofrues i shërbimit, në rastin kur është person juridik duhet minimalisht:
• – të ketë eksperiencë të mëparshme në ofrimin e shërbimit të prokurimit, jo më pak se 3 vjet;
• – të ketë staf në fushën e prokurimeve publike me eksperiencë, jo më pak se 5 vjet;
• – të ketë staf të specializuar me eksperiencë në ofrimin e shërbimit të prokurimit, në fushën e objektit për të cilin do të zhvillohet procedura e prokurimit, jo më pak se 5 vjet;
• – të ketë staf të mjaftueshëm, sipas roleve përkatëse që parashikohen në rregullat e prokurimit publik për kryerjen e procedurave të prokurimit;
• – t’i provojё autoritetit ose entit kontraktor se plotëson kushtet e parashikuara në nenin 76, të këtij ligji.
Ndalohen kompanitë offshore?!
Një prej çështjeve më të debatueshme është përdorimi i kompanive offshore në përfitimin e tenderave publike apo të koncensioneve. Disa koncensione të mëdha në Shqipëri janë përfituar nga kompani me pronarë të panjohur siç ishte rasti i inceneratorëve. Ndryshimet e reja ligjore kërkojnë që kompanitë që duan të futen në garë për tendera apo koncensione duhet të kenë të regjistruar pronarët në regjistrimin e pronarëve përfitues. Por sërish ky ndryshim mund të hajë debat pasi mund të konsiderohet jo i plotë. Aktualisht ligji përcakton që çdo pronar që ka mbi 20 % kuota në një kompani duhet të vetëdeklarohet në QKB.
Në projektligjin e ri, nga klauzola që parashkohet aktualisht që këto kompani i ndalon“… nga pjesëmarrja në procedurat e prokurimit apo koncesionit …” do të zëvëndësohet me “… nga e drejta për të fituar kontratat e prokurimit publik, koncesionit/partneritetit publik privat dhe ankandit publik.”. Gjithashtu, një tjetër parashikon është vendosur që një operator ekonomik nuk pranohet në asnjë garë publike nëse nuk ka regjistruar pronarët përfitues në regjistrin e pronarëve përfitues, sipas parashikimeve të legjislacionit në fuqi.