QEVERIA E RE/ Nuk ka revolucion, vetëm rokadë ministrash! Balluku e Malaj nuk lëvizin, pak hyrje të reja në kabinetin “Rama 4”

Kryeministri Edi Rama ka shpallur sot emrat e rinj të kabinetit qeveritar, ku ka konfirmuar në detyrë si zv.kryeministre dhe Ministre të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun, teksa nuk ka patur revolucion, por vetëm rokadë mes ministrash dhe shumë pak hyrje të reja.

Për herë të parë Ministrinë e Brendshme do ta drejtojë një grua, dhe këtë detyrë Rama ia ka besuar Albana Koçiut, që deri më sot mbante detyrën e Ministres së Shëndetësisë.

Në detyrë janë konfirmuar edhe Petrit Malaj si Ministër i Financave dhe Blendi Gonxhja si Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, një ministri e re që do të formohet gjatë këtij mandati qeverisës. Ndërkohë, do të ketë një ministri të rëndësishme për Elisa Spiropalin, që merr drejtimin e Ministrisë së Jashtme.

Mirela Kumbaro do të drejtojë Ministrinë e Arsimit, ndërsa Sofjan Jaupaj do të jetë ministri i ri i Mjedisit, pasi shërbeu disa vite si zv.ministër. Delina Ibrahimaj do të jetë ministrja e re e Ekonomisë dhe Inovacionit, ndërsa hyrje e re nga jashtë politikës është Evis Sala, të cilës i besohet Ministria e Shëndetësisë.

Ministria e Bujqësisë i është besuar një emri të ri, Andis Sallës, i cili drejton aktualisht Bashkinë e Cërrikut.

Kabineti qeveritar “Rama 4”

Zv.kryeministër  dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë – Belinda Balluku

Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit – Delina Ibrahimaj

Ministër i Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin – Adea Pirdeni

Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme – Elisa Spiropali

Ministër i Mbrojtjes – Pirro Vengu

Ministër i Mjedisit – Sofjan Jaupaj

Ministër i Brendshëm – Albana Koçiu

Ministër i Financave – Petrit Malaj

Ministër i Drejtësisë – Besfort Lamallari

Ministër i Arsimit – Mirela Kumbaro

Ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale – Evis Sala

Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Andis Salla

Ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin – Toni Gogu

Ministër Shteti dhe Kryenegociator – Majlinda Dhuka

Ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit – Blendi Gonxhja

Ministër i Shtetit për Pushtetin Vendor – Ervin Demo

Ministria e Inteligjencës Artificiale për Prokurimet Publike – Diella