E vendosur në një nga qytetet me traditë kulturore dhe artistike në Shqipëri, Qendra Rinore “Atelie” në Shkodër është një hapësirë që i dedikohet të rinjve. Pjesë e projektit “BiblioTech”, financuar nga UNICEF, kjo qendër i ndihmon ata të eksplorojnë talentet e tyre dhe të kontribuojnë në komunitetin lokal përmes aktiviteteve të ndryshme edukative dhe sociale.
“Nga një vend që e shikoja si një mundësi për t’u pajisur me certifikata dhe njohuri, është shndërruar në një shtëpi të dytë” – thotë Klajdi Kraja, i cili nisi të angazhohet në këtë qendër prej vitit 2022, kur u njoh me qendrën përmes një aktiviteti.
“Gjatë asaj kohe, kisha dëshirë të madhe për t’u angazhuar në aktivitete vullnetarizmi. Nuk e mendova kurrë se do bëhej pjesë e përditshmërisë time” – shprehet më tej Klajdi, i cili tashmë është punësuar aty si koordinator lokal për projektin “Bibliotech”. “Kjo qendër, përveç se ndihmon në formimin e personalitetit, ofron edhe mundësi për karrierë” – shprehet i riu nga Shkodra, teksa e kujton si një moment gëzimi kur mori propozimin që të bëhej pjesë e saj si vullnetar dhe anëtar bordi në rolin e PR-marketingut. Kështu filloi rrugëtimi i tij gati trevjeçar. “Më pëlqyen shumë edhe mjediset e qendrës, sepse njëherësh mund të ushtroja pasionet e mia”, thotë Klajdi për Media Ditarin.
Sot, ai mban rolin e mentorit të vullnetarëve, duke i udhëzuar ata rreth aktiviteteve të ndryshme që realizojmë.
“Mundohemi të jemi sa më aktiv duke zgjedhur ditë specifike si Dita e Rinisë, Dita e Vullnetarizmit dhe Dita e Familjes për të organizuar aktivitete tona, si dhe aktivitete mujore, si kinematë që përfshijnë shfaqjen e një filmi çdo muaj për të rinjtë, si dhe vizita në institucione të ndryshme, përfshirë azilin e të moshuarve”, shton me tej Klajdi.
Hasna Tafilica, drejtuese e “Atelie”-së, e përshkruan qendrën si një hapësirë të gjalle dhe përfshirëse, ku të rinjtë që marrin pjesë janë kryesisht vullnetarë që kanë dëshirë të angazhohen dhe të ndihmojnë bashkëmoshatarët e tyre. “Jo vetëm një vend ku të rinjtë ndërveprojnë, por ndajnë ide dhe ndërtojnë marrëdhënie të reja” – shprehet Hasna për Media Ditarin. Në këtë mjedis zhvillohen aktivitete të ndryshme që pasqyrojnë interesat dhe nevojat e pjesëmarrësve.
“Qendra organizon punëtori dhe trajnime për zhvillimin personal dhe profesional, duke u fokusuar në tema si lidershipi, aftësitë për komunikim efektiv dhe menaxhimin e kohës. Gjithashtu, ajo shërben si një hapësirë për aktivitete artistike, si piktura, skulptura dhe ekspozitat e ndryshme, që u japin mundësi të rinjve të shprehin kreativitetin e tyre dhe të ndajnë talentet me komunitetin” – sqaron me tej Hasna.
Përveç aktiviteteve artistike, qendra angazhohet në projekte sociale që trajtojnë tema të rëndësishme, si trafiku i qenieve njerëzore, dhuna me bazë gjinore dhe të drejtat e njeriut. Këto iniciativa ndërgjegjësuese synojnë të fuqizojnë të rinjtë për të marrë rol aktiv në komunitet dhe për të ndikuar pozitivisht në shoqëri. “Në tërësi, “Atelie” është një vend ku bashkëmoshatarët mblidhen për të mësuar, për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të ndërtuar një komunitet më të mirë”, thotë drejtuesja e qendrës.
Por jo vetëm fëmijët e qytetit të Shkodrës janë bërë pjesë e Qendrës Atelie, pasi edhe të rinjve nga rrethet u ofrohet mundësia dhe mirëpriten në këtë ambient pavarësisht sfidave që mund të hasin për shkak të largësisë ose kushteve sociale.
“Të gjithëve u ofrohet një hapësirë e sigurt dhe mikpritëse ku ata mund të ndihen pjesë e komunitetit, të ndajnë përvojat e tyre dhe të zhvillojnë aftësi të reja” – shton Hasna duke theksuar se aktivitetet dhe trajnimet janë të përshtatura në mënyrë të tillë që çdo i ri të ketë mundësinë për të mësuar dhe për t’u rritur në mënyrë personale dhe sociale.
Gjithashtu, për fëmijët nga rrethet që mund të kenë vështirësi ekonomike, qendra shpesh siguron materiale dhe mbështetje praktike, duke i ndihmuar ata të marrin pjesë në aktivitete pa barrë financiare.
“Përmes projekteve dhe aktiviteteve sociale, këta fëmijë kanë mundësi të angazhohen në mënyrë aktive dhe të përfitojnë nga mundësitë e barabarta për zhvillim personal, pavarësisht nga origjina apo gjendja e tyre”, thotë Hasna.
Për vitin 2024, Qendra Rinore “Atelie” ka mirëpritur një numër mbresëlënës të të rinjve, duke u bërë një pikë referimi për edukimin dhe zhvillimin social në komunitet. Konkretisht, 3709 të rinj janë bërë pjesë e aktiviteteve dhe programeve të organizuara në qendër. Gjatë vitit janë zhvilluar gjithsej 275 trajnime të ndryshme, të fokusuara në fusha si lidershipi, kreativiteti, ndërgjegjësimi social dhe aftësitë profesionale.
Por, suksesi i arritur deri më tani nuk kënaq ende Hasnan dhe aktivistët e tjerë të Qendrës Atelie, të cilët synojnë që këtë Qendër ta zhvillojnë edhe më tej duke zgjeruar gamën e aktiviteteve dhe duke rritur ndikimin e saj në komunitet. Në plan afatgjatë, ajo synon të përfshijë një numër më të madh të rinjsh, jo vetëm nga qyteti i Shkodrës, por edhe nga zonat rurale dhe më të largëta, duke ofruar qasje më të lehtë në programet e saj përmes partneriteteve dhe mbështetjes logjistike.
Sociologia Marsida Simo shprehet se aktivitetet për fëmijët dhe të rinjtë janë të rëndësishme sepse kalojnë kohën e tyre të lirë në mënyrë produktive, si dhe nxjerrin në pah aftësitë e secilit. ‘’Kjo bën që ata të jenë më pak të ndikuar nga aspektet devijante apo të jenë larg përfshirjes në veprimtari të rrezikshme. Kryesisht aktivitetet sportive ndihmojnë në kanalizimin e energjive që fëmijët dhe të rinjtë kanë, stimulojnë disiplinën dhe rregullat. Ndërsa aktivitetet nga fusha e artit nxisin tek ata vetëbesimin, aftësitë e buta dhe ndërlidhjen mes njëri-tjetrit” – shprehet sociologia.
Sipas saj, aktivitete që zhvillohen në këto Qendra janë jo vetëm ndihmuese, por edhe parandaluese. “Kur ata përfshihen në këto aktivitete, zhvillojnë një rreth shoqëror pozitiv, mësojnë për rëndësinë e bashkëpunimit dhe respektit për të tjerët apo dhe ndërgjegjësohen për fenomene të tilla’’ – thotë Simo, duke shtuar më tej se ‘’angazhimi në aktivitete i mbrojnë fëmijët dhe të rinjtë nga izolimi social dhe manipulimi nga individë të rrezikshëm’’.
Sipas sociologes, gjithashtu duhen krijuar sa më shumë klube, kurse arti, sporte dhe mundësi vullnetarizmi që i bëjnë të rinjtë të ndihen të përfshirë dhe të angazhuar.
Në një kohë kur rrjetet sociale po bëhen edhe më shumë problem për të rinjtë, duke rritur numrin e bullizimeve dhe tentativat për trafik të fëmijëve, Qendrat Rinore si “Atelie” në Shkodër janë më shumë se të domosdoshme, pasi tregojnë se me punë të mirë mund të arrihet parandalimi i ngjarjeve të rënda jo vetëm në një qark, por në të gjithë Shqipërinë.