Motra e Marjola Nakolecit, 36-vjeçares shqiptare e cila u vra nga bashkëshorti të premten në Greqi, ka folur për mediat duke dhënë detaje mbi marrëdhënien që viktima kishte me burrin që i mori jetën një ditë më parë.
Ajo ka treguar se Pandi Nakoleci ushtronte dhunë jo vetëm ndaj gruas por edhe ndaj fëmijëve. Këta të fundit, thotë ajo, kishin frikë që të rrinin vetëm me të.
Motra e viktimës ka thënë se ai nuk kishte probleme me shëndetin mendor pasi analizat nga klinika psikiatrike dolën shumë mirë.
Ajo ka kërkuar që Pandi Nakoleci të kapet nga autoritetet greke dhe “të kalbet në burg”.
“Çfarë të them moj vëlla… ai ishte një qen i pabesë që ia mori jetën motrës time në lule të rinisë dhe la fëmijët jetimë. Ai nuk ishte i sëmurë nga mendja, por donte dhe bënte ç’i vinte për mbarë. U bënte fëmijëve dhunë psikologjike. Fëmijët kishin frikë të rrinin me të në shtëpi nga sjellja që kishte.
Prandaj motra ime u detyrua dhe i tha: ‘Ik pak kohë nga shtëpia që të qetësohesh.’
Motra ime e çoi edhe te psikiatri me policinë. Ata i thanë që ishte shumë mirë, nuk kishte asgjë. Ia bënë edhe analizat dhe çdo gjë doli në rregull. E mbajtën vetëm dy ditë dhe më pas ai u kthye në shtëpi. Sillej dy ditë mirë, pastaj fillonte prapë sherre me motrën time, pa asnjë arsye, e kapte edhe me fëmijët. Ajo, si nënë normale, i hidhte sytë nga fëmijët.
Unë dua që ai njeri i poshtër të kapet dhe të kalbet në burg,” deklaroi motra e viktimës.