Policia e Durrësit ka reaguar pas disa ditësh lidhur me ngjarjen e ndodhur në kompaninë “Banaking” ku një punonjës është aksidentuar gjatë punës dhe ka humbur shikimin në njërin sy. Edhe pse ngjarja ka ndodhur më datë 18 shkurt, sot është raportuar nga policia, pasi lajmi u publikua në disa media.
Mësohet se 48 vjeçari A.G është dëmtuar teksa ishte duke hapur arkat e bananeve në kontenierin e “BanaKing”.
Ndërkohë njofton se është shpallur në kërkimi administratori i kompanisë “Banaking”, Trifon Murataj, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe po punohet për kapjen e tij.
‘Më datë 18.02.2025, shtetasi A. G., 48 vjeç, banues në Durrës, punonjës i një kompanie që operon në portin e Durrësit, është dëmtuar aksidentalisht në sy, gjatë punës. Për këtë rast, ka shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e para për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e shtetasve përgjegjës. Materialet procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës i kanë referuar në Prokurorinë e Durrësit, më datë 18.02.2025. Në vijim të veprimeve, më datë 18.02.2025, është shpallur në kërkim shtetasi Trifon Murataj, 56 vjeç, banues në Tiranë, administratori i kompanisë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”. Vijon puna për kapjen e tij’, njoftoi sot policia.