Pse Serbia po bëhet aleatja më e ngushtë e Kinës në Evropë?

Nga Tatyana Kekic “The Spectator”

Mijëra serbë u mblodhën të mërkurën para Pallatit Serbia, për të mirëpritur presidentin kinez Xi Jinping, duke brohoritur “Kina, Serbia”. Duke iu drejtuar audiencës, presidenti serb Aleksandar Vuçiç e falënderoi homologun kinez Xi Jingping që zgjodhi të vizitojë Serbinë:”Sot ne po shkruajmë historinë… Xi kishte 5 vite pa ardhur në Evropë, dhe ai ka zgjedhur sërish Serbinë tonë të vogël”.

Vizita ishte caktuar qëllimisht të përkonte me përvjetorin e 25-të të bombardimit të NATO-s ndaj ambasadës kineze në Beograd në vitin 1999. Nga ai sulm, mbetën të vrarë 3 gazetarë kinezë, dhe ngjarja nxiti protesta të mëdha në mbarë Kinën. Është një incident, të cilin Pekini nuk do ta harrojë kurrë, dhe ka qenë një “gjemb” i vazhdueshëm në marrëdhëniet Kinë-SHBA.

Në një deklaratë të botuar të martën në gazetën kryesore të përditshme serbe “Politika”,  Xi tha se miqësia e Kinës me Serbinë “është e farkëtuar me gjakun e përbashkët të të dyja kombeve”. Po ashtu, pati zëra ai do të shfrytëzonte rastin për të vizituar ish-selinë e ambasadës, sot Qendra Kulturore e Kinës në Beograd, për t’i nderuar viktimat dhe për të theksuar se NATO nuk është një aleancë vetëm mbrojtëse, dhe se Kina është shumë më e fortë tani se sa në atë kohë.

Që nga vizita e mëparshme e Xi Jinping në Serbi në vitin 2016, marrëdhëniet midis dy vendeve janë intensifikuar, dhe Kina është tashmë ndër partneret kryesore ekonomike të Serbisë. Kina është investitorja e më e madhe në Serbi, dhe partnerja e dytë më e madhe tregtar pas Bashkimit Evropian.

Tetorin e vitit të kaluar, të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje të tregtisë së lirë, duke e bërë Serbinë partneren e parë të tregtisë së lirë të Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore.

Investimet kineze në Serbi, që përbëjnë rreth 1/3 e totalit të investimeve të huaja direkte të vendit, janë të përqendruara në sektorin e minierave dhe prodhimit.

“Zijin Mining” dhe “Serbia Zijin Copper”, janë tani kompanitë e dyta dhe të treta më fitimprurëse në Serbi. Po ashtu, kompanitë kineze janë përfshirë në projekte të mëdha infrastrukturore në Serbi, si linja e shpejtë hekurudhore që lidh Beogradin me Novi Sadin por edhe autostrada Milloshi i Madh.

Është shumë e qartë se përse Kina është një partnere e rëndësishëm për Serbinë. Sepse ajo ka investuar miliarda në këtë vend, dhe ka qenë një mburojë kundër njohjes ndërkombëtare të Kosovës në Kombet e Bashkuara. Megjithatë, mund të jetë më pak e qartë së pëse Serbia është e rëndësishme për Kinën.

Tregtia e Kinës me Serbinë, është aktualisht më pak se 1/40 e tregtisë së saj me Gjermaninë. Megjithatë Xi zgjodhi të vizitojë Beogradin dhe jo Berlinin. Për Kinën, Serbia është një mike e rrallë në Evropë dhe që ndan botëkuptimin e saj.

Të dyja vendet, e cilësojnë si shumë të rëndësishme sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial në të drejtën ndërkombëtare. Ndërsa Kina e ka kundërshtuar gjithmonë pavarësinë e Kosovës, Vuçiç ka qenë i qartë në qëndrimin e tij ndaj Tajvanit. “Tajvani është Kinë. Dhe varet nga kinezët se çfarë, kur dhe si do të veprojnë”- tha ai në një intervistë të fundit.

Ndërkohë Kina e sheh Serbinë si një portën e saj hyrëse për në Evropë. Si një vend kandidat për në BE, Serbia mund të bëhet një kanal, përmes të cilit Kina mund të hyjë në tregun evropian. Dhe duke zënë një pozicion strategjik në Ballkanin Perëndimor, Serbia luan një rol të rëndësishëm në Nismën kineze të Brezit dhe Rrugës, duke lidhur portin grek të Pireut, të drejtuar nga kompania kineze “Cosco Shipping”, me Hungarinë më në veri.

Sjellja e Serbisë ndaj Kinës, ngre shumë pikëpyetje në lidhje me angazhimin e Beogradit ndaj procesit të anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Por pas pritjes për më shumë se dy dekada për t’u bërë pjesë e unionit, Serbia ka shumë pak për të humbur.

Bisedimet e ngadalta të pranimit dhe objektivat vazhdimisht në ndryshim, nënkuptojnë se Serbia është detyruar të hedhë sytë diku tjetër për të zhvilluar ekonominë e saj. Siç u shpreh kohët e fundit guvernatori i Bankës Kombëtare të Serbisë, “ky sallon pritje ku jemi lënë, po kthehet në një burg”.

Dhe në vend se të presë duke mos bërë asgjë, Serbia ka “guxuar të zgjedhë rrugën e saj dhe të jetë ndryshe”. Që nga viti 2009, ajo ka ndjekur një politikë të jashtme e cila balancon marrëdhëniet e saj midis SHBA-së, BE-së, Rusisë dhe Kinës. Ashtu si Jugosllavia dikur,

Serbia këmbëngul në të drejtën e saj për të ndjekur një politikë të jashtme të pavarur. Beogradi ka refuzuar të distancohet nga Moska që nga pushtimi i Ukrainës në shkallë të gjerë në shkurtin e vitit 2022, dhe ka vazhduar të kërkojë mundësi ekonomike dhe mbështetje diplomatike nga Kina.

Deri më tani kjo strategji nuk i ka shërbyer për keq Serbisë. Shkalla e rritjes së saj ekonomike është ndër më të lartat në Evropë (rritja e PBB-së ishte 4.6 për qind në tremujorin e parë të këtij vitit), ndërsa raporti i borxhit publik ndaj PBB-së është ndër më të ulëtit (parashikohet të bjerë në rreth 50 për qind brenda 2024-ës).

Pavarësisht paralajmërimeve nga Brukseli, se investimet kineze do të krijonin një kurth të borxheve, borxhi i jashtëm i Serbisë ishte vetëm rreth 65 për qind e PBB-së në fund të vitit të kaluar. Është e pasigurt se edhe për sa kohë Serbia do të jetë në gjendje të vazhdojë me sjelljen e saj të balancuar midis Lindjes dhe Perëndimit.

Vendi vazhdon të përballet me presionin e BE-së për të vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe për t’u distancuar nga Kina. Ndoshta, nëse perspektiva e anëtarësimit do të jetë më e besueshme, vendi mund të rishikojë qasjen e tij në arenën ndërkombëtare. Por tani për tani, aleanca me Kinën po i shërben për mirë Serbisë.