Nga Jon Sopel “The Independent”
Cili është aforizmi juaj i preferuar mbi proceset zgjedhore? A është “Opozita nuk i fiton zgjedhjet, por janë qeveritë i humbasin ato”? Apo ndoshta thënia “I vetmi sondazh që ka rëndësi, është ai që ndodh në ditën e zgjedhjeve”?
Nëse po analizoni SHBA-në, me siguri që citati më i preferuar është “Gjithçka sillet rreth ekonomisë o budalla!”, krijuar nga Xhejm Kervil. Ajo ka qenë një moto e suksesshme elektorale në shumë palë zgjedhje, që nga koha kur ai e shpiku atë për Bill Klintonin në garën presidenciale të vitit 1992.
Është këshilla bazë dhe shumë e qartë, sepse prek direkt ndjenjën e mirëqenies ekonomike të njerëzve. Është përgjigja ndaj pyetjes:A jam më mirë tani se sa 4 vjet më parë? Por sikur ky slogan të mos qëndrojë më për zgjedhjet e vitit të ardhshëm?
Duke parë shifrat e sondazheve mbi presidentin aktual, rezulton se Bajden nuk po merr asnjë vlerësim për rritjen ekonomike, që duket se po ndodh në Shtetet e Bashkuara. Numri i vendeve të punës po rritet në nivele të kënaqshme, ndërsa inflacioni po bie.
Për këtë arsye nuk po flitet më për recesion, por vetëm për një rënie të lehtë të ekonomisë amerikane. Por ajo që po e trazon politikën amerikane tani, është ajo që po ndodh në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë. Kjo ka të bëjë pjesërisht me debatin shekullor që zien në SHBA mbi izolacionizmin:së pari të Amerikës kundrejt lidershipit global; dhe së dyti të tërheqjes së mjeteve mbrojtëse ndaj demokracisë dhe rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Por ajo ka të bëjë edhe me mënyrën sesi krizat nga brigjet e Rripit të Gazës në Mesdheun Lindor, po përplasen tani në brigjet e Shteteve të Bashkuara. Shihni pak hartën politike të SHBA-s. Një nga shtetet kryesore që luhaten sa andej këtej gjatë zgjedhjeve është Miçigani.
Donald Trump fitoi atje në vitin 2016, ndërsa Bajden trumfoi në 2020-ën me një diferencë prej mbi 160.000 votash. Por Miçigan ka një nga popullatat më të mëdha myslimane në SHBA, rreth 250 mijë njerëz. Ata votuan në shumicë për demokratët dhe Bajden në ato 2 zgjedhje, sidomos sepse Trump propozoi gjatë fushatës së vitit 2016 ndalimin e hyrjes në SHBA të të gjithë myslimanëve.
Por aktualisht midis tyre ka shumë zemërim mbi mënyrën se si Bajden vazhdon të mbajë marrëdhënie shumë të ngushta me udhëheqësin izraelit, Benjamin Netanjahu edhe pas bombardimeve të rënda të ushtrisë së tij në Gaza. Javën e kaluar takova kryebashkiakun e Detroitit, Majk Dugan.
Ai është një mik i ngushtë i Xho Bajden, dhe mbështetësi kryesor për rizgjedhjen e këtij të fundit në vitin 2024. Por Dugan është shumë i shqetësuar. Gjendja në këtë qytet të njohur të shtetit të Miçiganit po ndryshon, dhe ai beson se Shtëpia e Bardhë duhet të tregojë shumë më tepër shqetësim për gjendjen e palestinezëve në Rripin e Gazës, nëse dëshiron të ketë një shans për të mbajtur shumicën në këtë shtet në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.
Tradicionalisht, demokratët janë partia më pro-izraelite në SHBA. Por kjo po ndryshon në mënyrë dramatike. Një sondazh i kryer nga Gallup 6 muaj përpara masakrës së 7 tetorit nga Hamasi, zbuloi se për herë të parë demokratët ndjenin ndonjëherë simpati më të madhe ndaj palestinezëve sesa ndaj izraelitëve.
Pastaj, mjafton të shikoni valën e demonstratave që kanë përfshirë kampuset universitare në SHBA. Ato kanë qenë jo vetëm pro-palestineze, por ka pasur një rritje të incidenteve të shëmtuara antisemite. Si do të votojnë këta të rinj vitin e ardhshëm, kur Bajden të cilësohet si një përfaqësues i një sionizmi të stilit së vjetër?
Demokratët në përgjithësi, kanë shumë arsye që të jenë të shqetësuar. Dhe pastaj është çështja e Ukrainës. Shumë kohë përpara se ta pushtonte Rusia, amerikanët ishin të lodhur nga “luftërat e pafundme”. Megjithëse nuk ka ushtarë amerikanë të përfshirë në këtë konflikt, miliarda dollarë të taksapaguesve amerikanë, po shkojnë për të mbështetur një kundërofensivë të ushtrisë ukrainase që duket se ka ngecur në vend.
Udhëheqja e re republikane në Kongresin Amerikan po thotë “mjaft”. Ajo nuk do që t’i jepet Ukrainës asnjë cent më tepër. Dhe Bajden nuk mund të financojë luftën e Kievit vetëm përmes akteve normative të Shtëpisë së Bardhë. Paratë që shkojnë për Ukrainën, duhet të miratohen nga Dhoma e Përfaqësuesve.
Nga kjo situatë po përfiton sa të mundë Donald Trump, që është aktualisht në krye të një fushatë kundër-faktuale. Ai dhe ekipi i tij, po u thonë amerikanëve se ishte ai si president
që nënshkroi një marrëveshje paqeje midis Izraelit dhe shteteve të Gjirit nëpërmjet Marrëveshjes së Abrahamit.
Ndërkohë me Bajdenin në krye, në Lindjen e Mesme është rikthyer lufta. Po ashtu theksohet se nëse do të ishte ai president, miku i tij Vladimir Putin nuk do të kishte guxuar kurrë që të pushtonte Ukrainën. Putin do të ishte shumë i frikësuar. Por çfarë ndodh tani me “gjumashin” Xho në Shtëpinë e Bardhë?
S’ka nevojë që kjo fushatë propagandistike të jetë racionale. Fakti është se Trump po zbulon se kjo retorikë po funksionon shumë mirë në dobi të tij. Ai thotë:Kur isha president, ndërtoja marrëdhënie të mira me Putinin, takohesha përzemërsisht me Kim Jong Un dhe bisedoja vazhdimisht me presidentin kinez Xi. Pra kur isha president, bota ishte një vend më paqësor”. Pra, ndoshta problemi nuk qëndron tek ekonomia. Kervil kishte të drejtë në analizën e tij në vitin 1992, sepse Bill Klinton u përpoq të zgjeronte mbështetjen ndaj tij përtej shteteve të “Brezit të Ndryshkut”. Por historia ishte ndryshe 12 vjet më herët, kur ish fermeri i kikirikut nga Xhorxhia, Xhimi Karter po kërkonte rizgjedhjen në detyrë përballë ish-aktorit të Hollivudit dhe guvernatorit të Kalifornisë, Ronald Regan.
Dhe në këtë rast, duket shumë e përshtatshme ajo shprehja e vjetër “historia nuk përsëritet, por rimon”. Më pas, ishte Bashkimi Sovjetik që pushtoi një vend sovran, Afganistanin, sepse udhëheqja e tij e re u perceptua si një kërcënim për Moskën.
Më pas, ishte një përpjekje e dështuar për të shpëtuar 52 pengjet amerikanë që mbaheshin në Teheran nga studentë mbështetës të revolucionit të vitit 1979, që solli në pushtet Ajatollah Khomeinin. Pra një pushtim rus i një vendi sovran, dhe një krizë në Lindjen e Mesme që përfshin pengje. A tingëllon e njohur ndonjëra nga këto? Karter pësoi një humbje të rëndë përballë Regan. Nëse Bajden po e bën ende gjumin e qetë, ndoshta duhet të nisë të shqetësohet seriozisht.