Teksa çdo vit po ikin qindra studentë e fëmijë nga vendi dhe arsimi është në një fazë mjaft kritike, qeveria pritet t’i japë goditjen e fundit me vendimin që pritet të merret për TVSH-në.
Në korrik të këtij viti, ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj përpara se të largohej nga detyra njoftoi se qeveria po shqyrtonte vendosjen e TVSH-së në shëndetësi dhe në arsim për shkollat dhe universitetet private.
Ajo u shpreh se kjo ndikon në uljen e inflacionit dhe është sugjerim i FMN se TVSH-ja mbi arsimin për të subvencionuar sektorë të tjerë si turizmi, bujqesia etj. Vendosja e TVSH-së ka përfitime qesharake krahasuar me dëmet. Arsimi këtu është shpallur prioritet madhor si kudo në botë, por po trajtohet si një sipërmarrje e rëndomtë.
E gjitha kjo nëse ndodh vetëm sa do të rrisë barrën fiskale mbi shtresën e mesme dhe do të stimulojë më tej emigracionin.
Kjo pasi ata që dërgojnë fëmijët në shkolla private i përkasin shtresës së mesme. Duke qenë se shkollat nuk do ta mbajnë vetë barrën e shpenzimeve për TVSH, do t’jua faturojnë prindërve.
Sipas ekspertëve një në tre studentë vendos të shkollohet jashtë vendit, një në arsimin publik dhe një në sektorin privat. Shkollat dhe universitetet private edhe pa TVSH-në janë në vështirësi për shkak të numrit të nxënëseve dhe studentëve që është çdo vit në ulje.
Vendosja e tatimit mbi vlerën e shtuar thjesht sa do t’i çonte ato direkt drejt “greminës” ku po fundoset arsimi në vend.
Rikthimi i TVSH-së në shërbimet private arsimore do të rrisë barrën fiskale më tej te shtresa e mesme, e cila është përfituesja kryesore e këtij shërbimi. Në universitetet private ka edhe studentë të shtresave të ulëta që përfitojnë nga bursat.
Shtresa e të pasurve sigurisht nuk preket as në këtë rast pasi ata janë të parët që i dërgojnë fëmijët jashtë shtetit për arsim më cilësor.
Në shkollat jopublike, tarifat e studimit janë rritur vitin e kaluar në varësi të shkollave nga 400 në 1000 euro në vit. Nëse vendoset edhe ky tatim, tarifat do të bëhen të papërballueshme për studentët. Zgjidhja e vetme për ta do të ishte vetëm regjistrimi në universitete shtetërore të cilat kuotat i kanë të limituara sipas degëve.
Edhe shkollat publike janë të tejmbushura me nxënës dhe në shumë prej tyre në të gjithë vendin vazhdon të bëhet mësim me turne, kështu që kjo zgjidhje do të shihej pa perspektivë për nxënësit.
Universitetet dhe shkollat do të ulin numrin e personelit për të shkurtuar shpenzimet dhe këtu duhen llogaritur dhe të gjithë mësuesit dhe pedagogët që do të ngelen pa punë. Qeveria merr shembull nga vendet europiane ku vërtet arsimi privat i nënshtrohet TVSH-së, por arsimi privat në rreth 70% a më shumë të vendeve europiane rifinancohet nga shteti në nivelet nga 40 deri 80% te shpenzimeve të kryera nga shkolla.