PS “zien” nga fjalët, kush është ministri që Rama do ta vendosë në krye të Bashkisë së Tiranës

Fati politik i Erion Veliajt u vulos ditën që kryeministri Rama i dërgoi mesazh grupit parlamentar, duke i urdhëruar që të mos i dilnin më në mbrojtje publike kryebashkiakut.

Madje, prej gati 1 muaji vetë kreu i qeverisë ka ndalur sulmet ndaj SPAK dhe ka filluar të lavdërojë sërish punën e tyre, duke e lënë Erion Veliajn  të vetëm në luftë me drejtësinë, që i ka kopsitur një dosje me të gjitha rastet e korrupsionit që ai dhe familja e tij ka bërë.

Pikat mbi “i” u vendosën me kaosin 24 orarësh në Bashkinë e Tiranës, ku Veliaj pasi kuptoi “puçin” që iu bë shpejtoi të rimerrte në dorë këtë institucion, por u tërhoq shpejt, duke ia dorëzuar plotësisht Bashkinë kryeministrit.

Tashmë, Bashkia e Tiranës udhëhiqet nga Anuela Ristani, që është bërë e besuara e madhe e Ramës, teksa kryeministri vendosi që të mos kishte zgjedhje të parakohshme, të paktën deri në 11 Maj, kur shqiptarët të zgjedhin për deputetët e rinj.

Por, Partia Socialiste po “zien” nga fjalët. Rama ka vendosur që Veliaj të mos e mbyllë mandatin, por sapo të fitojë mandatin e katërt, të shpallë edhe zgjedhjet e parakohshme të Bashkisë së Tiranës. Madje, ka vendosur edhe se cili do të kandidojë për të marrë drejtimin e bashkisë më të madhe në vend.

Burime bëjnë me dije se i preferuari i Ramës është një ministër, por që e njeh mirë punën në pushtetin vendor. Ai është ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, njeriu i besuar i Ramës, që ky i fundit i besoi një “sipër-ministri” në Janar të vitit të kaluar.

Blendi Gonxhe është një nga njerëzit më të afërt të kryeministrit, pasi ka qenë Shef i Kabinetit të Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në vitin 1998, kur kjo ministri drejtohej pikërisht nga Rama. Më pas Rama e mori me vete në Bashkinë e Tiranës në vitin 2000, duke e emëruar nënkryetar, ndërkohë që më pas i ka besuar edhe drejtimin e shumë institucioneve të rëndësishme.

Por Gonxhe nuk është vetëm njeriu i besuar i Ramës, por edhe i Belinda Ballukut. Me vendosjen e Gonxhes në krye të Bashkisë së Tiranës, do të quhej e përfunduar edhe lufta mes Ballukut dhe Veliajt.

Tashmë, zv.kryeministrja duket se e ka rrugën të hapur drejt synimit të madh, marrjes së pushtetit absolut të PS-së. Vetëm se do të duhet të presë largimin e Ramës, dhe me sa duket, do t’i duhet të presë pak gjatë.