PS pengon arrestimin e Ballukut, reagon Komisioni Evropian: Vendimi i takon Kuvendit!

Komisioni Evropian ka reaguar një ditë pas vendimit të Partisë Socialiste, për të rrëzuar kërkesën e SPAK për të dhënë arrestimin e ish-zv.kryeministres, Belinda Balluku, e pandehur për Tunelin e LLogarasë dhe në hetim për Unazën e Madhe të Tiranës.

Në një përgjigje zyrtare për Report Tv, një zëdhënës i Komisionit Evropian theksoi se institucioni nuk komenton raste që janë në proces.

“Ne nuk komentojmë raste në zhvillim. I takon Parlamentit të Shqipërisë të trajtojë kërkesat për heqjen e imunitetit të anëtarëve të tij”, thuhet në përgjigjen e Komisionit Evropian.

Ditën e djeshme, gjatë mbledhjes së grupit parlamentar të Partisë Socialiste,  Ulsi Manja, anëtar i Këshillit të Mandateve hodhi poshtë çdo pretendim të Prokurorisë së Posaçme për të rënduar masën e sigurisë për Ballukun.

“Ne si mazhorancë, arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë, atë të arrestit me burg, apo në shtëpi, të parashikuar nga neni 237 e 238 të Kodit Penal të Kushtetutës.”, tha Manja gjatë mbledhjes.

Për shumicën socialiste, SPAK nuk ka arritur të provojë domosdoshmërinë për arrestimin e ish-numrit dy të qeverisë.

Po ashtu, kryeministri Rama theksoi dje gjatë mbledhjes se qëndrimi i PS për rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrestimin Ballukut është qëndrim i prerë.

“E di shumë mirë që do të thonë prapë, por ky është një qëndrim i prerë kundër dhënies së autorizimit për arrest të një deputeteje dhe është po aq parimor e i domosdoshëm sot sa ç’është një qëndirm paralel i prerë në mbështetje të drejtësisë për të hetuar, gjykuar e vendosur e patrysnuar nga pushteti ekzekutiv. Mosdhënia e autorizimit për arrest është thjesht kryerja e detyrës sonë. Le ta hetojnë deri në fund Belinda Ballukun, le ta ulin në gjyq për akuzën e pabarazisë në tendera, por mos të fyejnë inteligjencën tonë duke thënë se rrezikon të prishë provat. Sot që është thjesht deputete, as që bëhet fjalë. Ajo është kryekëput kërkesë që lidhet me rolin e ministres, pastaj gjykata të vendosë si ta shohë të arsyeshme, është plotësisht e pavarur. Ky është pozicioni ynë, pikë”, tha Rama.