PS kundër SPAK për Ballukun, Ambasada Amerikane: Pavarësia e institucioneve të drejtësisë, thelbësore për vijimin e bashkëpunimit mes dy vendeve

Ambasada Amerikane në Tiranë ka reaguar në lidhje me vendimin e Partisë Socialiste për të mos miratuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të ish-zv.kryeministres Belinda Balluku.

Në një përgjigje për mediat në vend, Ambasada Amerikane thotë se nuk komenton çështje që janë në proces, por shton se pavarësia e institucioneve të drejtësisë, është thelbësor për vazhdimin e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar.

“Pavarësia e institucioneve të drejtësisë në Shqipëri mbetet thelbësore për vazhdimin e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Shqipërisë në luftën kundër krimit ndërkombëtar. Nuk kemi koment për çështje ligjore që janë në proces”, shprehet ambasada.

Reagimi i ambasadës vjen një ditë pas qëndrimit të mazhorancës, për të mos dhënë autorizimin për arrestimin e Ballukut, pas kërkesës së SPAK.

Në mbledhjen e grupit parlamentar të PS, Ulsi Manja, anëtar i Këshillit të Mandateve hodhi poshtë çdo pretendim të Prokurorisë së Posaçme për të rënduar masën e sigurisë për Ballukun.

“Ne si mazhorancë, arrijmë në përfundimin se nuk ka vend për dhënien e autorizimit për zëvendësimin e masës së sigurimit personal, atë të ndalimit të daljes jashtë shtetit me masën më të rëndë, atë të arrestit me burg, apo në shtëpi, të parashikuar nga neni 237 e 238 të Kodit Penal të Kushtetutës.”, tha Manja gjatë mbledhjes.