Protesta e banorëve të Rrjollit, Kapri: SPAK të marrë nën hetim çështjen, të përfshirë zyrtarë të lartë

Deputeti i partisë Mundësia, Erald Kapri i është bashkuar protestës së banorëve të Rrjolit para SPAK-ut.

Kapri denoncoi edhe njëherë dhunën e policisë ndaj këtyre banorëve që protestojnë për pronën e tyre.

Ndërkohë Kapri kërkoi nga Prokuroria e Posaçme hetimin e kësaj çështje, që nuk ka të bëjë vetëm çështje pronësia. Sipas Kaprit, janë të përfshirë zyrtarë të lartë të shtetit në bashkëpunim me biznese, që duan tu marrin pronat këtyre banorëve.

“6 javë dhe institucionet nuk reagojnë. Policia ka përdorur dhunë sistematike bashkë me një polici private.

SPAK ka besimin e shumicës. SPAK duhet të shohë pretendimet që nuk ka të bëjë vetëm me çështje pronësie por me grup të strukturuar kriminal. Si ndodh rastësisht nga zonë e mbrojtur, si del rastësisht 1 tek pronar që paska 50 hektarë.

Si ka mundësi që ky pronar qenka ish-drejtor hipoteke, si del rastësisht që e firmos Belinda Balluku këtë leje? Këtu kemi përfshirje të zyrtarëve të lartë të shtetit me biznese që u venë syrin një prone dhe thonë e duam këtu”, tha Kapri.

Banorët e Rrjollit e kanë zhvendosur protestën e tyre para SPAK-ut këtë të mërkurë, teksa kundërshtojnë ndërtimin e resortit luksoz nga biznesmeni Bashkim Ulaj, në tokat e tyre.

Banorët kërkojnë që të zhvillojnë një takim me prokurorët e SPAK për të shprehur shqetësimin e tyre.

Këta banorë po protestojnë prej më shumë se një muaj në vendin ku do të ndërtohet resorti, ndërsa më herët, ata kanë pasur përplasje të ashpra me policinë, dhe me rojet private të “Breçani Security” të punësuar nga Ulaj më qëllim për të ruajtur kantierin.

Disa prej tyre janë shoqëruar në polici, mes tyre edhe gra shtatzënë.