Pronari i “Monopol” porositi vrasjen e Klevis Lleshit, si nisi saga e ekzekutimeve mes dy fiseve që solli 5 viktima

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur rrëmbimin dhe vrasjen e Klevis Lleshit, ngjarje kjo e ndodhur 5 vite më parë.

SPAK mësohet se ka lëshuar 4 urdhër-arreste, mes tyre edhe për Aurel Hoxhën, i cili është pronar i lokalit të njohur “Monopol” në zonën e Myslym Shyrit. Hoxha dyshohet se është prositësi i vrasjes së Lleshit, i cili rezulton të jetë viktimë e një konflikti të gjatë dhe të përgjakshëm mes dy familjeve, Hoxha dhe Lleshi, saga e të cilit ka nisur në vitin 2012 me vrasjen e Agim Hoxhës në Angli.

Hetimet për zbardhjen e ngjarjes janë drejtuar nga dy prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Behar Dibra, të cilët kanë siguruar prova dhe të dhëna që çuan në identifikimin e autorëve dhe porositësit të dyshuar të krimit.

Burime bëjnë me dije se vrasja është zbardhur nga transkriptimet e SkyEcc. Aurel Hoxha dyshohet se e ka porositur vrasjen e Klevis Lleshit për t’u hakmarrë për vrasjen e të vëllait të tij, Agim Hoxha në 2012, nga Arben Lleshi. Këtu nis edhe saga e hakmarrjeve mes dy fiseve duke lënë pas disa viktima.

Në vitin 2013 vritet babai i Klevis Lleshit, Xhavit Lleshi ndërsa tre vite më vonë, më 15 maj 2016 u vra vëllai i tij, Hajredin Lleshi. 

Në vitin 2020 fisi Hoxha dyshohet se porositi vrasjen e Klevis Lleshit. Ndërsa viktima e fundit e hasmërisë mes dy fiseve ishte Arben Lleshi, i cili u vra brenda burgut të Peqinit nga Sokol Mjacaj.