Prokuroria çon në gjyq drejtoreshën e Spitalit Memorial në Fier, lejoi kryerjen e procedurave të paligjshme te pacientët

Prokuroria e Fierit ka dërguar në gjykatë dosjen për Drejtoreshën e SPitalit Memorial në Fier, Rudina Degjonin, e cila akuzohet për “shpërdorim detyre”.

Sipas prokurorisë, Degjoni ka lejuar kryerjen e paligjshme të procedurës së botoksit të stomakut te pacientët në këtë spital publik, nëpërmjet aplikimit në organizimin e brendshëm të pacientëve, të preparateve mjekësore të botoksit të stomakut që nuk janë blerë nga vetë spitali me procedura të ligjshme të prokurorimit publik, por janë gjetur në rrugë jashtë-spitalore për të cilat pacientët kanë bërë pagesat e tyre.

“Mungesa e kryerjes së procedurave të ligjshme të prokurorimit publik, ka sjellë mungesën e verifikimit në këtë spital të dokumentacionit përkatës lidhur me verifikimin e datës së skadencës dhe vendit të origjinës së preparateve, duke sjellë kryerjen e kësaj procedure jashtë çdo lloj standardi ligjor dhe teknik te pacientët, duke mbartur rrezik serioz per jetën dhe shëndetin e tyre, si dhe duke dëmtuar interesat dhe imazhin e një një institucioni shëndetësor publik”, thuhet ndër të tjera në dosjen e prokurorisë.

Spitali Memorial i Fierit u ndërtua nga qeveria turke si dhuratë për Shqipërinë, ndërkohë që ka qenë disa herë nën shënjestrën e opozitës, e cila ka akuzuar ish-ministren e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu për tenderat abuzivë për akomodimin e mjekëve të huaj që shërbejnë në këtë spital.