Banorë të lagjes nr.7 dhe 8 që preken nga shpronësimet që do të bëhen në kuadër të projektit infrastrukturor “Lidhja e Currilave me rrugën “Aleksandër Goga”, kanë protestuar sot para bashkisë së Durrësit, ndërsa kanë tentuar që të hyjnë edhe në brenda këtij institucioni.
Ata janë përplasur me forcat e policisë që gjendeshin përballë Bashkisë së qytetit bregdetar, si dhe me disa zyrtarë të kësaj bashkie.
“Ti ke firmosur për ne, mos guxo të futesh në mbledhje. Ikni nga mbledhja. Turip, turp. Mos e lini legenin, ne po na prishin shtëpinë”, i tha një qytetar anëtarit të Këshillit teksa hynte në mbledhje.
Protesta vjen në një kohë ku në mbledhjen e Këshillit Bashkiak do të diskutohet në lidhje me shpronësimet e shtëpive të këtyre banorëve që preken nga ky projekt.
Banorët janë shprehur se nuk janë vënë në dijeni më përpara lidhur me prishjen e shtëpive dhe kundërshtojnë vlerën e shpronësimit, sepse sipas tyre është e pamundur që me këtë vlerë të blejnë një shtëpi.
Ndërkohë pas ndërhyrjes së policisë janë shoqëruar 3 protestues, ndërsa banorët e tjerë kanë tentuar t’i nxjerrin ata nga furgoni i policisë.