Zona e ish-Bllokut do të kthehet në një zonë për këmbësorët. Projekti për shndërrimin e kësaj zonës vetëm për këmbësorët me mbështetjen e rrjetit botëror “WALK 21” u bë me dije nga kryeministri Edi Rama teksa u prezantua ky projekt.
Kjo zonë e gjendur në zemër të kryeqytetit është ndër më të frekuentuarat nga të rinjtë dhe jo vetëm, por gjithashtu është një zonë ku ndodhen një numër i lartë biznesesh.
Per Ramën kjo zonë është shumë e aksesueshme për të gjithë, por problem mbetet trafiku dhe parkimi i dyfishtë teksa shtoi se në Tiranë ka ende më shumë për të bërë për parkimet nëntokësore.
Ai tha se këtë projekt duhet ta mbështesin fillimisht banorët që jetojnë dhe punojnë në ish-Bllok ndërsa të tjerët duhet të adaptohen.
“Duhet ti shmangemi idesë që për ulur trafikun duhet të zgjerojmë rrugët, Kjo nuk është e vërtete, jo arteriet kryesore që lidhin qytetet me njëra tjetrën por kam parasysh rrugët e brendshme të qytetit. Ka shumë gjasa që fluksi i trafikut të rritet, e kundërta është e vërtetë. Dekurajimi i trafikut është përgjigja. Kjo zonë është qendrore dhe e aksesueshme lehtësisht, një zonë nga ku banorët, distancat nuk janë të gjata dhe është një zonë që duke stimuluar ecjen do të jetë shumë më efikase edhe për bizneset që janë në zonë të cilat janë ato që ankohen të parat për ndërprerjen e aksesit me makina deri të dera.
Do ju sjell rastin e Vlorës ku u bë një debat për Lungomaren ku projektuesit belg sollën një rrugë të ngushtë dhe ata që e kundërshtonin doni një rrugë shumë më të gjerë. Faktikisht rruga në Lungomare funksionon më së miri. Fakti që shkohet më shumë në këmbë sesa makinë, fluksi i njerëzve është shumë më i madh dhe natyrisht ajo çka u tha këtu është qasja e duhur që duhet një kohë informimi dhe shkëmbimit të projektit dhe idesë. Duhet të mendojmë më shumë hapësira për parkimin nëntokësor. Hapi tjetër është goditja e parkimit të dyfishtë që është problemi kryesor”- u shpreh Rama.