Projekti i fshehtë i Edi Ramës për t’i lidhur duart SPAK nëpërmjet ndryshimeve ligjore

Kryeministri Edi Rama e deklaron me mburrje se mbështetja për krijimin e Prokurorisë së Posaçme është një nga gjërat më të mira që ka bërë mazhoranca e tij, por kjo prokurori ka bërë që shumë njerëzit e tij më të besuar të përfundojnë në qelitë e burgut.

Pavarësisht çfarë deklaron, SPAK i ka hapur shumë punë Ramës dhe qeverisë së tij, pasi zyrtarët e lartë të qeverisë po bien çdo ditë në rrjetën e prokurorëve të posaçëm, sepse shkeljet e kryera në më shumë se 10 vite qeverisje po fillojnë të zbulohen me radhë.

Saimir Tahiri, Vangjush Dako dhe Arben Ahmetaj janë 3 nga njerëzit më të afërt të kryeministrit që SPAK i dërgoi në qeli, teksa drejt asaj rruge duket të jenë edhe të tjerë, pasi dosjet që disponon SPAK janë të mbushura me shkelje ligji në mënyrë flagrante.

Duke parë që nuk mund ta sulmojë publikisht, burime brenda mazhorancës bëjnë me dije se Rama po diskuton një projekt për t’i “lidhur duart” Prokurorisë së Posaçme, nëpërmjet ndryshimeve ligjore. Ndryshimet do të bëhen në Kodin Penal, ku po planifikohet të hiqet vepra penale “shpërdorim detyre”, duke kufizuar mundësitë e prokurorëve të SPAK për ndjekjen penale ndaj zyrtarëve të lartë dhe punonjësve të administratës.

Sipas të njëjtave burime, Rama kërkon të ndjekë shembullin e Italisë, ndaj nuk është çudi që këtë ndryshim t’ia ketë sugjeruar edhe homologia italiane Giorgia Meloni, të cilës i dha mundësinë e strehimit të refugjatëve afrikanë në vendin tonë pa asnjë kosto shtesë.

Qeveria italiane miratoi reformën e re në drejtësi pak muaj më parë, ku parashikohet ndalimi i përgjimeve, teksa parashikohet se “shpërdorimi i detyrës” nuk do të jetë më një krim. Gjithashtu gjyqtarët nuk do të jenë më në gjendje të japin urdhër për arrestimin e zyrtarëve pa i pyetur më parë ata.

Ndryshimet në Kodin Penal kërkojnë 84 vota në Parlament, që për momentin mazhoranca nuk i ka, por Rama nuk ka ndërmend të heqë dorë dhe synon që këto vota t’i sigurojë sa më shpejt. Ai do të kërkojë të marrë pas vetes deputetët e partive të vogla duke u premtuar ndryshime në Kodin Zgjedhor, që do t’u mundësonte një mandat deputeti me një numër më të vogël votash.

“Asi nën mëngë” i Ramës mund të jetë Lulzim Basha, i cili duke parë përplasjet brenda PD-së, mund të zgjedhë që të bashkojë votën e tij dhe deputetëve që e mbështesin me mazhorancën, ashtu siç ka deklaruar se do të bëjë për rritjen e rrogave të Gjykatës Kushtetuese.

Për ta “kopsitur” sa më mirë këtë çështje duke mos patur reagimin e prokurorëve të posaçëm apo ndërkombëtarëve, Rama po afron pranë vetes “armikun” Fatmir Xhafaj, me të cilin marrëdhëniet nuk i ka shumë të mira prej vitit 2021, kur e la jashtë listës së sigurt për Tiranën, por ish-ministri i Brendshëm arriti të thyejë herësin dhe të marrë mandatin e deputetit. Marrëdhëniet jo të mira mes të dyve u treguan edhe në Komisionin e Ligjeve, ku Xhafaj doli hapur kundër rritjes së rrogave të gjyqtarëve të Kushtetueses.

Me aprovimin e Xhafajt, i cili shihet si një nga njerëzit më të besuar në sytë e prokurorëve dhe gjyqtarëve, do të ishte më të thjeshtë që qeveria ta kalonte për miratim këtë ligj pa shumë zhurmë.

Por çfarë do të thotë ky ndryshim i Kodit Penal?

Heqja e “shpërdorimit të detyrës” si vepër penale do ta vështirësonte punën e SPAK në maksimum. Shumë zyrtarë të lartë si Saimir Tahiri, Vangjush Dako dhe të tjerë janë burgosur për këtë vepër penale, ndërkohë që me ndryshimet e reja ligjore zyrtarët do të kenë më shumë mundësi të shkelin ligjin dhe të mos kapen nga drejtësia.

Sigurisht që nga kjo përfiton kryeministri Rama, të cilit “ushtarët” po i bien një nga një, ndërkohë që ky ndryshim mendohet të jetë edhe si një “amnisti” për Erion Veliajn dhe kryebashkiakët e tjerë, drejtorët e të cilëve do ta kenë më të lehtë firmosjen e dokumentave me urdhrin e shefave, duke mos patur merakun e arrestimit nga SPAK.

Pra, një ndryshim i tillë në Kodin Penal do të rriste edhe më shumë korrupsionin dhe vjedhjen e zyrtarëve të qeverisë, që duket se nuk janë ngopur duke grabitur as pas më shumë se 10 viteve me të gjithë pushtetet nën këmbët e tyre.

Nga ana tjetër, qytetarët e thjesht burgosen dhe vdesin qelive për një muaj faturë energjie të papaguar, për një cigare hashash apo për kundërshtimin e gjobave të padrejta të vendosura nga ushtarët e qeverisë.