Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima është proceduar penalisht lidhur me një incident që është regjistruar gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit FK Apolonia-FK Gramshi.
Policia e Fierit ka referuar materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për ish-politikanin, për veprën penale “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”. Gjatë ditës së djeshme, Koço Kokëdhima ka hyrë në fushë në stadiumin “Loni Papuçiu” dhe ka debatuar e shtyrë me duar arbitrin e ndeshjes.
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Fier referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasin K. K., 65 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë President i “FK Apolonia”, për femra, për veprën penale “Veprime të dhunshme në aktivitete sportive”, pasi ditën e djeshme, gjatë zhvillimit të ndeshjes së futbollit FK Apolonia-FK Gramshi, ky shtetas ka hyrë në fushë, në stadiumin “Loni Papuçiu” dhe ka debatuar e shtyrë me duar arbitrin e ndeshjes, shtetasin D. M.”, njofton policia.