Presidenti Begaj injoron kërkesat e Këshillit të Ambasadorëve, dekreton diplomatët e zgjedhur nga Rama

Presidenti Bajram Begaj ka firmosur sot lirimin nga detyra për 5 ambasadorë të Shqipërisë jashtë vendit, si dhe ka dekretuar diplomatët e rinj që do t’i zëvendësojnë.

Pavarësisht se pak javë më parë Këshilli i Ambasadorëve ngriti shqetësimin për emrat e propozuar nga qeveria se nuk përmbushnin kushtet, Presidenti ka vendsour ta injorojë, duke dekretuar emrat e vendosur nga kryeministri Rama.

Mes diplomatëve të rinj është edhe ish-deputeti socialist Ervin Bushati, që do të jetë diplomat në SHBA, ndërsa dy prej të dekretuarve, kanë lënë detyrën në një shtet për t’u zhvendosur në vend tjetër.

DEKRETI
Presidenti i Republikës, në zbatim të kompetencave të tij kushtetuese dhe ligjore, bazuar në nenin 92, shkronja “dh”, nenin 93 të Kushtetutës, si dhe nenin 26, pika 2 të ligjit nr. 23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë” me propozim të Kryeministrit, dekretoi lirimet dhe emërimet e Ambasadorëve si më poshtë vijojnë:

1. Lirohet me Dekret nr. 103 datë 10.7.2023 z. Ridi Kurtezi nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi, rezident.

2. Lirohet me Dekret nr. 104 datë 10.7.2023 z. Artur Kuko nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë, rezident.

3. Lirohet me Dekret nr. 105 datë 10.7.2023 z. Kastriot Robo nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë, rezident, dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën Islamike të Iranit, në Republikën e Kirgistanit, në Republikën Islamike të Pakistanit, në Gjeorgji, në Republikën Islamike të Afganistanit dhe në Republikën e Kazakistanit, jorezident.

4. Lirohet me Dekret nr. 106 datë 10.7.2023 znj. Floreta Faber nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezident, dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Republikën e Panamasë, Republikën Domenikane, Republikën e Guatemalës dhe në Republikën e Kosta Rikës, jorezident.

5. Lirohet me Dekret nr. 107 datë 10.7.2023 znj. Adia Sakiqi nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Mbretërinë e Vendeve të Ulëta, rezident, dhe nga detyra e Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë pranë Organizatave për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), jorezident.

6. Emërohet me Dekret nr. 108 datë 10.7.2023 znj. Zhaklina Peto, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Malin e Zi, rezident.

7. Emërohet me Dekret nr. 109 datë 10.7.2023 znj. Adia Sakiqi, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën Federale të Gjermanisë, rezident.

8. Emërohet me Dekret nr. 110 datë 10.7.2023 znj. Blerta Kadzadej, Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Turqisë, rezident, dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Republikën e Azerbajxhanit, në Republikën e Kirgistanit, në Republikën Islamike të Pakistanit, në Gjeorgji, në Republikën Islamike të Afganistanit dhe në Republikën e Kazakistanit, jorezident.

9. Emërohet me Dekret nr. 111 datë 10.7.2023 z. Ervin Bushati Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rezident, dhe Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Meksikës, Republikën e Panamasë, Republikën Domenikane, Republikën e Guatemalës dhe në Republikën e Kosta Rikës, jorezident.

10. Emërohet me Dekret nr. 112 datë 10.7.2023 z. Ridi Kurtezi Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, rezident.