Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj është paraqitur sot në SPAK ku u mor në pyetje nga prokurorët lidhur me hetimet që po bëhen ndaj tij. Ai ka lënë sot qelinë e paraburgimit të Durrësit dhe ka mbërritur në Prokurorinë e Posaçme paraditen e kësaj të enjteje ku qëndroi 1 orë e 30 minuta.
Marrja në pyetje e Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg prej 10 Shkurtit, është bërë në prani të avokatëve të tij Ermir Beta dhe Artur Selmani.
Veliaj akuzohet nga SPAK për korrupsion, të paktën në 9 raste dhe pastrim parash.
Dy ditë më parë lidhur me dosjen ndaj Erion Veliajit, u mor në pyetje edhe Sekretari i Përgjithshëm i Bashkisë Tiranë, Alban Dokushi. Ai qëndroi për 4 orë në ambientet e SPAK.
Veliaj pyetet sot ndërsa prej dy ditësh është në një përplasje me kryeministrin Edi Rama në lidhje me drejtimin e Bashkisë Tiranë. Veliaj nga qelia firmosi për të deleguar detyrën e kryetares, Sara Goxhajt, një prej njerëzve më të besuar të tij. Por sapo mori lajmin, Rama shkoi në Bashkinë e Tiranës, dhe shkarkoi Sara Goxhajn dhe të besuarin e Veliajt, Alban Dokushi.
Por përplasja mes Ramës dhe Veliaj nuk mbeti me kaq. Burime për mediat bëjnë me dije se Veliaj kishte dhënë urdhër që Jonida Halili, të cilën Rama e emëroi Sekretare të Përgjithshme në Bashki, të mos hynte në godinë.
Kjo krisje e marrëdhënieve mes tyre pritet të ndikojë edhe në zgjedhjet e 11 Majit, pasi Veliaj ka një mbështetje të madhe në qarkun e Tiranës.