Prej 6 vitesh shëtiste i lirë në Korçë e Bilisht/ Arrestohet Agron Osmanllari, qëlloi me armë një person dhe mori peng taksistin

Agron Osmanllari, njeriu që në muajin maj 2018, plagosi me pistoletë në Bilisht Erion Çollakun dhe në ikje e sipër pas këtij krimi, mori peng taksistin Redion Shallo, është arrestuar pas 6 vitesh në Korçë.

Në muajin maj 2019, Osmallari është dënuar me vendim të formës së prerë me 15 vite burgim, por për shkak të gjykimit të shkurtuar dënimi përfundimtar është ulur në 10 vite burgim.

Por megjithëse, ka një dënim të formës së prerë, Osmanllari prej kaq vitesh nuk ka mundur të arrestohet nga strukturat e policisë kriminale në Drejtorinë e Policisë së Korçës. Osmanllari vijonte jetën në liri, ku herë qarkullonte publikisht rrugëve të Devollit dhe herë qëndronte i fshehur, sipas denoncimeve të mëhershme.

Pavarësisht se mbi supe mban një vendim dënimi me 10 vite burgim, gjatë kësaj periudhë, ai deri në këto momente kishte mbetur i paprekur nga policia e Devollit dhe Drejtoria e Policisë së Korçës.

Ngjarja

Në datën 3 maj 2018 Agron Osmanllari ka qënë nën shoqërinë e Venetik Braho i njohur si “Tiku”. Të dy së bashku gjatë asaj dite ata kanë konsumuar pije alkoolike. Rreth orës 19:20 të po kësaj date, ata kanë shkuar në lokalin e Aleksandër Nasto, lokal i ndodhur në qendër të qytetit të Bilishtit. Lokali ka katër tavolina dhe në të shërben Aleksandër Nasto. Kur Agron Osmanllari dhe Venetik Braho, kanë hyrë në lokal dhe janë ulur në një tavolinë, në të tre tavolinat e tjera të lokalit ka pasur dhe persona të tjerë nga qyteti i Bilishtit dhe që njihen me njëri-tjetrin.

Në një prej tavolinave kanë qënë i dëmtuari Erion Collaku, F.K, R.B. e K.A, në tavolinën tjetër kanë qënë V.F, Sh.F., A.Xh, Ll.K, K.F, dhe V.K. Ndërkohë në tavolinën e katërt ishte i vetëm A.B. Si janë ulur në tavolinë, Agron Osmanllari dhe Venetik Braho, kanë porositur birra. Për një moment Agron Osmanllari është ngritur nga tavolina dhe ka shkuar në shtëpinë e vet për të ndëruar rrobat. Për të shkuar në shtëpi, ka marrë rastësisht Geraldi Fama, i njohur si “Veshoja”, pasi koha ishte me shi.

Nuk është vonuar shumë dhe Agron Osmanllari është kthyer përsëri në lokal ku kishte lënë shokun e tij Venetik Braho, ndërkohë që atje ishte edhe Mondi Kaso. Kur është kthyer ai ka qënë i zverdhur në fytyrë dhe Aleksandri, e ka pyetur se çfarë kishte.

Agroni është shprehur se:”…po foli më, unë do t’i q… kur*ën”. Në këtë kohë Agroni, ka nxjerrë nga trupi pistoletën dhe i është drejtuar Erion Collakut duke i thënë: “…po më fole më unë do të q… ku..ën”. Të dy janë ngritur në këmbë, ku Agron Osmanllari, ka nxjerrë një armë zjarri dhe nën fjalët fyese ka qëlluar një herë në drejtim të Erion Çollaku, i cili në këto momente, kishte marrë një karige për t’u mbrojtur duke e vendosur para vetes.Pasi ka qëlluar me pistoletë në drejtim të Erion Collakut, në pjesën e barkut ky i fundit ka rënë në dyshemr, kurse Agron Osmanllari, është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes duke dalë nga lokali së bashku me armën që kreu krimin. Për shkak të dinamikës së ngjarjes dhe faktit që sherri ka qënë i rastësishëm duke u zhvilluar brenda një kohe tepër të shkurtër, personat e pranishëm në lokal, megjithëse e kanë parë komplet këtë ngjarje, nuk kanë mundur të ndërhyjnë.

Marja peng e taksistit

Pas këtij veprimi Agron Osmallari, ka dalë nga lokali së bashku me armën dhe ka shkuar drejt mjetit me targë AA557GR brenda te cilit ndodhej drejtuesi Redion Shallo, që shërbente si taksi me mjetin e tij. Shallo, ka qenë rastesisht përpara lokalit dhe mjetit e ka pasur të fikur. Në momentin që ka dëgjuar krisma ka ndezur makinën dhe është munduar të lëvizë,kur nga xhami i makinës ka shkuar një person që nuk e njihte dhe i ka thënë që hape makinën. Kurse drejtuesi Redion Shallo i ka thënë se makina është hapur. Më pas Osmanllari, i panjohur nga drejtuesi i mjetit, i ka vënë në bark pistoletën që kishte me vete duke e detyruar drejtuesin e mjetit Redion Shallo, që të ecte me shpejtësi në drejtim të Korçës.

Gjatë rrugës, i ka thënë që të mos qendronte edhe nëse i dilte para policia,pasi në të kundërt do ta vriste. Redion Shallo, i është lutur të mos e qëllonte pasi do të zbatonte urdhërat që Osmanllari jepte. Gjatë rrugës, autori i është identifikuar drejtuesit të mjetit duke i thënë se: “…jam Gone Osmani…, ç’bëra e vrava…, jam i sëmurë…, do vete në burg…”. Kur mjeti ka arritur në hyrje të Zemblakut, sipas drejtuesit të makinës Redion Shallo, Agron Osmanllari ka vazhduar ta kanose duke e detyruar të risë shpejtësinë dhe të mos i qëndrojë policisë se përndryshe, do të ketë fatin si ai tjetri, duke i thënë: “..Do të fus të gjithë plumbat në bark…”. Kur kanë kaluar policinë nuk i kanë qëndruar patrullës. Tek karburant “Cenolli”, i cili është në rrugën kryesore Bilisht–Korçë në vendin ku kryqëzohet në të majtë me rrugën që të çon në fshatin Zëmblak dhe në të djathtë me rrugën që të çon në fshatin Gollobërdë, me urdhër të Agron Osmanllari, drejtuesi i mjetit Redion Shallo, ka ndaluar makinën dhe Osmanllari, ka zbritur duke marë dhe pistoletën që ai kishte me vete.

Më pas ai ka lëvizur më këmbë në drejtim të rrugës që të çon në fshatin Gollobërdë. Që pas këtij momenti e në vazhdim Agron Osmanllari nuk është arrestuar nga policia e Korçës. Pas këtij momenti dhe largimit të Osmanllarit, drejtuesi i mjetit ka kthyer makinën dhe është nisur në drejtim të Bilshtit duke u paraqitur në Komisariatin e Policisë Devoll, ku ka kallëzuar ngjarjen e ndodhur.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH finalizoi operacionin policor të koduar “Operacionalja 9”.

I dënuar në vitin 2019, me 15 vjet burgim, për një tentativë për vrasje me armë zjarri, si rezultat i punës së inteligjencës policore, arrestohet në Korçë, 57-vjeçari.

Në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit” dhe si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, gjatë operacionit policor të koduar “Operacionalja 9”, lokalizoi në Korçë, kapi dhe vuri në pranga shtetasin e shpallur në kërkim Agron Osmanllari, alias Osmani, alias Meka, 57 vjeç, i lindur në Bilisht.

Në vitin 2019, Gjykata e Apelit e Korçës e ka dënuar këtë shtetas, me 15 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi ka tentuar të vrasë me armë zjarri, shtetasin E. C..

Shtetasi Agron Osmanllari alias Osmani alias Meka do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.