Prag tragjedie në lumin Osum, tre persona mbeten të bllokuar brenda makinës, rrezikon edhe zjarrfikësi që i shpëtoi

Foto ilustruese

Dy persona janë shpëtuar mrekullisht gjatë natës në Poliçan, ndërsa një zjarrfikës ka rrezikuar jetën duke i shpëtuar.

Ngjarja ka ndodhur pas mesnate pranë fshatit Malinat, ku një automjet tip ‘Ford” ku udhëtonin tre persona ka ngecur në lumin Osum, në përpjekje për ta kaluar atë.

Për shkak të reshjeve rrjedha ka qenë e fortë dhe fuoristrada është marrë nga lumi ndërsa tre personat kanë mbetur të bllokuar në ujë.

Mësohet se shoferi i mjetit ka mundur të dalë nga mjeti dhe ka shkuar me not deri në breg për të kërkuar ndihmë.

Ndërkohë që dy persona të tjerë në mjet, shtetasit Ilir Ballolli dhe Taulant Bakushi janë kapur tek baxho e makinës.

Pas sinjalizimit të marrë në zonë kanë shkuar efektivë të shumtë të Repartit Zjarrëfikës të Beratit dhe efektivë të policisë që kanë bërë të mundur shpëtimin e jetës së banorëve të bllokuar në mes të rrjedhës së lumit Osum.

Zjarrëfikësit kanë hyrë në lumë me not dhe i kanë lidhur dy personat e bllokuar në fuoristradë me litar e më pas kanë filluar tërheqjen e tyre nga uji.

Gjatë aksionit për shpëtimin e dy shtetasve, një efektiv i zjarrëfikësve të Beratit ka rrezikuat zeriozisht jetën pasi rrymat e forta të lumit e kanë tërhequr drejt rrjedhës.