Prej disa ditësh ka nisur një aksion i policisë për sekuestrimin e disa mjeteve lundruese në Koman dhe Shalë, çka ka sjellë indinjatën e banorëve të zonës, që “mbahen” me këtë punë. Ata kanë bllokuar mëngjesin e sotëm tunelin hyrës për në Koman duke protestuar për bllokimin e mjeteve lundruese që shkojnë për në Shalë.
Policia njoftoi sekuestrimin e 46 mjeteve lundruese (traget, skafë dhe varka artizanale) në liqenin e Komanit dhe në lumin e Shalës, që sipas bluve “ishin në cenim të ligjeve për lundrim dhe të kritereve të sigurisë (nuk kishin pajisur pasagjerët me jelekë shpëtimi) për transport ditor, për qëllime turistike, të vizitorëve në këto vende”.
Pas këtij aksioni banorët e Komanit dhe drejtuesit e bizneseve në luginën e Shalës protestuan në hyrje të bashkisë së Vaut të Dejës dhe kërkuan të priteshin nga kryetari i bashkisë Kristjan Shkreli. Banorët shprehën shqetësimet e tyre duke theksuar se një aksion i tillë po dëmton shumë turizmin në luginën e Shalës, të cilit i është bërë shumë promovim në vitet e fundit. Ndërkohë dhjetëra turistë presin në port, pasi nuk e dinin se ishin bllokuar të gjitha varkat.
Sipas banorëve, ata e kanë shumë të vështirë të marrin licencat në bashki, dhe prej dy vitesh përballen me neglizhencën e institucioneve. Nga ana tjetër këta të fundit u thonë se me varkat që operatorët kanë nuk mund t’u jepen licenca.
Ata i kanë ndërtuar vetë në mënyrë artizanale varkat, dhe atom und të përplasen me drunjtë apo objektet që sjell lumi. Por institucionet nuk ngrenë as një grup ekspertësh që të verifikojnë nëse ka varka që mund të licnesohen, apo të gjithë do të ngelen pa punë.
Ndërkohë që protestohet, operatorët turistikë janë detyruar të kthejnë turistët e shumtë këtë fundjavë pasi nuk kanë me çfarë të lundrojnë në lumin e Shalës, i cili vitet e fundit ka qenë në top listat e më të preferuarve të turistëve. Kjo zonë konsiderohet si “Tajlanda shqiptare”.